Bënë presion ndaj njëra-tjetrës, e në fund, duket se u dorëzuan të dyja.
Pas kushtit te vendosur nga Gjermania që të nisë tanket e saj ‘Leopard 2’ në Ukrainë vetëm atehere kur Shtetet e Bashkuara ta furnizojnë këtë vend me tanket e tyre të avancuara “Abrams”, Reuters thotë se tani këtë gjë, mund ta bëjnë të dyja palët.
Gjermania, për më tepër, thuhet se do të lejojë edhe vende të tjera si Polonia, të nisin tanke gjermane me synimin të ndihmohet Kievi në luftën e tij kundër agresionit rus. Edhe pse një gjë e tillë nuk është konfirmuar ende zyrtarisht nga Berlini apo Uashingtoni, zyrtarët në Kiev nxituan ta përshëndesin me shpejtësi atë që ata e quajtën, një ndryshim të mundshëm të rrjedhës së zhvillimeve në fushën e betejës, në kohën kur lufta ka hyrë në muajin e 11-të të saj.
Kievi, i cili që nga fillimi i konfliktit ka përdorur tanke të prodhimit sovjetik, kërkon prej muajsh tanke perëndimore, të cilat i përshkruan si të dosmosdoshme, për t’u siguruar trupave ukrainase fuqinë e zjarrit dhe lëvizshmërinë për të thyer mbrojtjen ruse, e për të rimarrë ato pjesë të pushtuara të territorit në lindje dhe jug të vendit.
Një sërë senatorësh të rëndësishëm amerikanë e mbështetën hapin tjetër madhor në ndihmën e Uashingtonit për Ukrainën, duke inkurajuar Shtëpinë e Bardhë të bëjë përpara me një plan për të dërguar tanke ‘M1 Abrams’ në Ukrainë, me shpresën se kjo do të rriste shanset që edhe Gjermania të niste tanket e saj ‘Leopard’.
Top Channel