Një pesëshe diplomatike të premten i shkoi kryeministrit të Kosovës Albin Kurti në zyrë.

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak dhe ai i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar kishin me vete edhe këshilltarët e presidentit francez, Emmanuel Macron, kancelarit gjerman Olaf Scholz e kryeministres së Italisë Giorgia Meloni.

Vizita vjen për të shtyrë Kosovën e Serbinë drejt një marrëveshjeje mbi kornizat e planit të BE-së ose siç njihej plani franko – gjerman që Lajçak tha se kishte pritur më shumë mirëkuptim.

“Ne kemi pritur kuptim më të mirë të mundësive që ofron ky propozim. Shpresoj të arrijmë atje, tek mirëkuptimi i plotë si dhe shfrytëzimi i plotë i potencialit që ka ky propozim. Ne do të vazhdojmë të punojmë në këtë”, tha Lajçak.

Takimi zgjati më shumë se dy orë, por i dërguari i BE-së nuk dha detaje.

“Qëllimi i takimit ishte të diskutojmë propozimin për normalizim që i kemi paraqitur në shtator e më pas në dhjetor. Kemi më shumë se dy orë në takim që do të thotë se takimi nuk ishte i lehtë, ishte i gjatë, por shumë i hapur dhe i sinqertë”, u shpreh Lajçak.

Kjo pesëshe diplomatike pas takimit me Kurtin u nis për në Beograd, siç u konfirmua me të njëjtën agjendë për takim me Presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiç.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA