Gazsjellësi që lidh Lituaninë dhe Letoninë u përfshi nga një shpërthim, por nuk ka prova të menjëhershme për një sulm.
Një video e publikuar nga transmetuesi publik lituanez LRT tregon zjarrin e ndezur në vendin e shpërthimit në qarkun Panevezys në Lituaninë veriore.
Drejtori ekzekutiv i operatorit lituanez të gazsjellësit tha se zjarri është shuar.
“Sipas vlerësimit fillestar, ne nuk shohim ndonjë shkak, por hetimi do të mbulojë të gjitha opsionet e mundshme”, tha në një konferencë për shtyp drejtori ekzekutiv i Amber Grid, Nemunas Bykniu.
Furnizimi me gaz u ndërpre, ndërsa drejtori ekzekutiv tha se shpërthimi dëmtoi një nga dy tubacionet paralele që dërgojnë gaz nga Lituania në Letoni dhe se planifikohet që të rivendoset furnizimi.
“Ne planifikojmë të rivendosim furnizimin me gaz brenda pak orësh, në sasi të krahasueshme. Ne planifikojmë që klientët të mos e ndjejnë ndikimin e kësaj ngjarjeje”, u tha Biknius gazetarëve.
Lituania, ashtu sikurse Ukraina, e cila është shkatërruar nga lufta, kufizohet me Rusinë dhe ndodhet në Detin Baltik, ku tubacionet e gazit të gazsjellësit “Rrjedha e Veriut”, Rusi-Gjermani u shkatërruan nga shpërthimet e vitit të kaluar.
Flakët fillimisht u ngritën rreth 50 metra në ajër dhe mund të shiheshin të paktën 17 km larg, tha LRT.
Agjencia baltike e lajmeve BNS njoftoi se nuk pati të lënduar nga shpërthimi.
Top Channel