Kaliroi është një prej shumë grave në Dropull që e ka mbajtur veshur kostumin traditional të zonës edhe në jetën e përditshme deri rreth viteve 2000.

Ishte diçka e zakonshme tregon ajo që të shihje gratë dhe nuset e reja të shkonin për të mbushur ujë apo për të bërë pazar me rrobat e kuruara me kujdes ndër shekuj. Edhe në periudhat më të vështira kur regjimi komunist imponoi veshjen uniforme për të gjithë shtetasit gratë e Dropullit nuk e humbën traditën. Ato arnuan e përshtatën veshjen e vjetër në kushtet e mungesës së materialeve dhe varfërisë së skajshme. Sot Kaliroi 83 vjeç vijon të qëndisë motivet e trashëguara duke krijuar veshje të reja dhe do të besojë se tradita nuk do të humbasë.

Elementë të tillë të veshjes si këmishat e brendshme, kalcat apo elementë të kapeles janë modifikuar disi me kohën edhe për shkak të vështirësisë në gjetjen e materialeve origjinale. Dikur veshjet endeshin lokalisht dhe më pas qendiseshin ndërsa tani pëlhurat fabrikohen ndërsa materiale si shajaku janë zhdukur përfundimisht.

Gjirokastra me 7 zona të ndryshme etnografike është ndër më të pasurat në vend sa i përket kostumeve. Specialistët e trashëgimisë vërejnë se elementë të tillë si shamia shekullore që shoqëron nusen në zona të ndryshme të Jugut e njohur si boshtá, një prej elementëve më atraktivë të veshjes është zhdukur.

Nga 160 të tilla që gjendeshin në muzeumet e Gjirokastrës vetëm 2 kanë mbijetuar. Motivet e hardhisë, zogut të gurit, kupës së çiftit, lules së shegës, karafilit apo cjapit, janë kryevepra të artit popullor që po trashëgohen mes vështirësive të mugesës së qëndistarëve dhe vëmendjes zyrtare për ti mbrojtur ato.

Top Channel