‘Të gjithë në kërkim të opsioneve’; Gratë ruse shkojnë për të lindur në Argjentinë (fotot)

03/01/2023 17:53
Polina Cherepovitskaya me beben e saj Sofia dhe bashkeshortin Aleksandr Konkov

Vendi amerikano-jugor po shikon një rritje të konsiderueshme të “turizmit të lindjeve” teksa ruset shfrytëzojnë regjimin e udhëtimit pa vizë aktualisht në fuqi.

Duke pritur në radhë në maternitetin ‘Sanatorio Finochietto’ në Buenos Aires, Polina Cherepovitskaya dëgjon papritur dhe të tjerë që flasin rusisht, shkruan rrjeti britanik TheGuardian.

“Ishte e pabesueshme, tetë gra shtatzëna ruse që prisnin para meje”, tha në një intervistë telefonike Cherepovitskaya, më parë punonjëse bizhuterish në Moskë.

Cherepovitskaya, e cila lindi me sukses këtë muaj, besohet se është një nga qindra gra ruse që kanë udhëtuar drejt Argjentinës për të lindur këtë vit.

Fenomeni është rritur pas nisjes së sulmit rus ndaj Ukrainës, që tashmë njihët si “turizëm i lindjeve” dhe ka gjithashtu si qëllim marrjen e qytetarisë së re të fëmijës.

Moska duket se po izolohet nga Perëndimi prej luftës së fundit, dhe regjimi pa vizë i Argjentinës e ka kthyer atë në një destinacion të lakmuar për familjet që duan t’i japin fëmijëve të tyre një qytetari të dytë.

Një tjetër arsye mund të jetë thirrja e mobilizimit ushtarak të Vladimir Putin për qindra rezervistë të ushtrisë, shkruan TheGuardian.

Georgy Polin, kreu i shërbimeve konsullore në ambasadën ruse në Argjentinë thotë se 2,000 deri në 2,500 rusë kanë ardhur në Argjentinë këtë vit, shumë prej të cilave gra shtatzëna që donin të lindnin aty. “Vitin që vjen numri mund të arrijë në 10,000,” thotë Polin.

“Zbulova që isha shtatzënë pak pasi nisi lufta në Ukrainë”, thotë Cherepovitskaya. “Teksa shihnim kufijtë që mbylleshin rreth nesh duhet të gjeja një vend ku mund të udhëtoja lehtësisht, ndërsa një pasaportë argjentinase mund të hapë shumë dyer për djalin tim”.

Cherepovitskaya dhe bashkëshorti u larguan nga Rusia pak pas nisjes së luftës dhe tani duan të qëndrojnë në Buenos Aires për të marrë edhe vetë qytetarinë argjentinase, që proces që thjeshtohet pasi janë prindër të bijës së tyre tashme argjentinase.

“Buenos Aires është shumë i kërkuar tani; është destinacioni me të cilin punoj më shumë. Te gjithë janë ne kërkim te opsioneve te tyre,” thotë Eva Pekurova, e një agjencie të njohur udhëtimi e akomodimi në Moskë.

Ajo shton se qëndrimi standard 90-ditor aty mund të zgjatet relativisht lehtë, ndërsa me një pasaportë argjentinase qytetari mund të udhëtojnë pa vizë drejt 171 vendeve duke përfshirë BE, Britaninë e Japoninë.

Gratë ruse që shkojnë për të lindur në Argjentinë paguajnë te agjencia e Pekurova 1,000 deri në 8,000 dollarë për shërbime si dokumentacion, përkthime, dhe burokraci të tjera.

Argjentina është treguar disi e përmbajtur në dënimin e sulmit rus ndaj Ukrainës, dhe ashtu si vende të tjera të Amerikës Latinë nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë pasi ka hedhur dyshime në efektivitetin e tyre.

FOTO GALERI
2/3
“Buenos Aires është shumë i kërkuar tani; është destinacioni me të cilin punoj më shumë", tha agjentja e udhetimit

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA