Kryetar i Vëllazërisë Ungjillore të Shqipërisë, Pastor Ergest Biti ka uruar Krishtlindjen dhe ka dhënë mesazhin e tij për besimtarët:
“Në këtë Krishtlindje duket sikur errësira na ka mbuluar. Realiteti i luftës dhe i vështirësive ka arritur deri këtu tek ne, në Shqipëri. Një realitet që të gjithë e kemi ndier në forma të ndryshme.
Natyrshëm lind pyetja: ku qëndron shpresa në mes gjithë këtyre vështirësive? Në ditët që po jetojmë, ndërsa duket që shumë gjëra janë të zymta, ka shumë probleme, pakënaqësi, ndoshta na duket sikur po mbytemi në lumin e pashpresës.
Duhet të kemi parasysh se Shpresa nuk lind si kundërpërgjigje e konflikteve, vështirësive, apo luftrave, shpresa vjen si rezultat i prezencës së Perëndisë.
Shpresa është këtu, në këtë botë, sepse Jezusi është Drita e botës! Ky është mesazhi që festojmë këtë Krishtlindje: Perëndia erdhi si Drita e botës në mes të errësirës. Ai u bë njeri – Çfarë mrekullie!
Shpresa ndodhet në botë, sepse Jezusi mbretëron edhe sot! Ne të gjithë kemi dhuratën e Dritës së përjetshme! Ne reflektojmë dritën e Jezusit në botën plot errësirë. Prandaj Jezusi na thotë ne gjithashtu: “Ju jeni drita e botës!”
Shpresa ndodhet në botë sepse, Jezusi do të vijë përsëri e të gjitha kombet e gjuhët do të mblidhen në përjetësi duke adhuruar Perëndinë! Ne mund ta shohim këtë gjë që sot, në mes të errësirës së kësaj bote.
Krishtlindja na kujton se shpresa na është dhënë – shpresa për shërimin, restaurimin, faljen, për një fillim të ri – këto na janë dhënë përmes Jezus Krishtit, Zotit tonë.
Prezenca e Perëndisë na është dhënë për të gjetur shpresë, gëzim, paqe e dashuri. Kjo është arsyeja e vërtetë e festimit të Krishtlindjes. Kjo është arsyeja pse festojmë këtë sezon.
Urimi im për ju sot është Shkëlqefshi sa më fuqishëm dritën e Perëndisë gjatë vitit 2023. Gëzuar Krishtlindjen dhe paçim një Vit të Ri plot me bekime!”
Top Channel