Pas ngadalësimit në tremujorin e dytë, ekonomia ka përshpejtuar ritmet e rritjes në tremujorin e tretë e nxitur ndjeshëm edhe nga turizmi.
Sipas Institutit të Statistikave, ekonomia këtë periudhë u zgjeruar me 4% nga 2.6% që ishte një tremujor më parë, ku kontribuuan pozitivisht kryesisht degët e lidhura me turizmin. Grupi i aktiviteteve tregti, transport, shërbimet ushqimore dhe akomodimi u rritën me gati 10% kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë.
Veç turizmit që këtë vit ka gjeneruar shifra rekord në të ardhura por edhe prurje të lartë të vizitorëve në vend, ndikim të konsiderueshëm në ecurinë pozitive të ekonomisë këtë periudhë ka dhënë edhe sektori i ndërtimit.
Të dhënat e Instat flasin për një rritje dyshifrore të ndërtimit dhe pasurive të paluajtshme krahasuar më të njëjtin tremujor të vitit të kaluar, përkatësisht me 10.6% dhe 13.8%.
Pozitivisht kanë kontribuar edhe degë të tjera të ekonomisë, informacioni dhe komunikacioni si dhe aktivitet financiare të sigurimit. Bujqësia nga ana tjetër, një nga degët më me peshë në ekonomi ka shënuar një rritje të lehtë me vetëm 0.22% krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit që lamë pas.
Negativisht ndërkohë kanë ndikuar në ecurinë e ekonomisë industria nxjerrëse, përpunuese dhe energjia, administrata publike e shëndetësia si dhe taksat neto.
Sa i takon konsumit final të popullsisë, pra zëri që përbën edhe peshën kryesore të shpenzimeve në ekonomi rezulton në rritje me mbi 8% në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa e kundërta ka ndodhur me konsumin final të qeverisë që është ulur me 3.5%.
Top Channel