Kuvendi i Kosovës miraton në parim projektligjin për Dhomat e Specializuara, deputetët votojnë në mënyrë unanime
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka folur në Kuvend përpara votimit të projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Kurti e lidhi çështjen e proceseve në Hagë me nevojën për një strategji shtetërore dhe funksionim të institucioneve të Kosovës.
“Për ta zbatuar strategjinë na duhen institucione funksionale – president dhe qeveri stabile”, tha Kurti.
Duke folur për mënyrën se si, sipas tij, duhet të kundërshtohen aktgjykimet ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Kurti e vuri theksin te procesi i apelit.
“Adresa e fitores është apeli”, tha Kurti.
Ai kërkoi një organizim që të mos jetë i ndarë sipas përkatësive partiake dhe theksoi nevojën për një strategji të përbashkët.
“Për këtë nevojitet organizim dhe strategji shtetërore e kombëtare”, tha Kurti.
“Nuk ndihmojnë veprimet pa strategji”, shtoi ai.
Sa i përket projektligjit që ishte në rend dite për votim, Kurti tha se ndryshimet janë përgatitur me nxitim, duke theksuar se koha për shqyrtimin e tyre ka qenë e shkurtër. Megjithatë, ai bëri të ditur se Lëvizja Vetëvendosje do ta mbështesë nismën.
“Ndryshimet janë të ngutshme, por do t’i mbështesim”, tha Kurti.
Kurti foli edhe për luftën e UÇK-së, duke e cilësuar atë si të drejtë dhe duke kundërshtuar procesin gjyqësor ndaj saj.
“Për UÇK-në nuk mund të ketë gjyq”, deklaroi Kurti.
Ai rikujtoi gjithashtu se Dhomat e Specializuara u themeluan në vitin 2015 dhe tha se përgjegjësinë për këtë e mbajnë ata që votuan për themelimin e tyre.
“Përgjegjësinë për krijimin e Dhomave të Specializuara e mbajnë ata që e votuan themelimin e tyre, më 2015. Ne po ju mbështesim sot”, tha Kurti.
Në përfundim të deklaratës së tij, Kurti bëri të ditur se gjatë ditës pritet të takohet me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza. Ai nuk dha detaje për orën apo temat që do të diskutohen në takim.
Pas diskutimeve në Kuvend, projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar u hodh në votim dhe u miratua në lexim të parë.
Top Channel