Nuk ishte Botërori i lojës, por i lojtarëve. Është e drejtë pra që ai që ngriti Kupën të ishte vetë ai, Lionel Messi, më i miri i këtyre 20 viteve të fundit.

I mungonte trofeu i trofeve për të realizuar misionin që një popull i tërë i kishte ngarkuar prej kohësh. Kur flitet për një popull të tërë nuk bëhet fjalë vetëm për atë argjentinas, por për popullin e të apasionuarve pas futbollit.

Messi është një gjeni në një trup të çfarëdoshëm, madje në një trup që nuk duket aspak atletik, “pleshti”. Por në futboll ai fizik mund të mjaftojë nëse ke kokën e një artisti dhe këmbët e një marsiani. Messi konvertoi drejt futbollit edhe ata që për futbollin nuk ishin të interesuar. Është mrekullia e talentit, që thyen çdo paragjykim dhe arrin në zemrën e kujtdo. Është unaza e bashkimit me Maradonën, që ishte kaq i ndryshëm nga ai. Karaktere shumë të ndryshëm, jetë të ndryshme, por në fushën e futbollit janë vëllezër.

Kush është më i madhi? A ka më rëndësi në këtë pikë? Klasifikimet janë argëtuese, por të padrejta. Të nevojshme për të kaluar një mbrëmje diskutimi, por të panevojshme nëse do të gjesh një thërrime të vërtetë. Maradona ishte njeriu kundër, nuk do të kishte luajtur kurrë në skuadrën e një emiri nga Katari. Zgjodhi Napolin dhe ajo zgjedhje përfaqëson Diegon më të pastër në vetveten e tij. Messi nuk ka atë dimension, por vetëm ai mund të riçonte Kupën e Botës në Argjentinë, ja doli në rastin e fundit të mundshëm.

Koha e tij futbollistike po vjen drejt fundit, paralajmërohet ajo e Mbappe.Francezi është një fenomen absolut që nuk di ku ta vendosësh në pemën gjenaologjike të artistëve supremë të futbollit. Nuk i ngjason askujt tjetër përveçse vetvetes, dhe interpeton futbollin e këtyre kohëve si skush tjetër. Mbi një bazë atletike të rëndësishme, (pasi për shpejtësinë duhet të stërvitesh nuk mjafton talenti), Mbappe është një kampion teknik i jashtëzakonshëm. Rifuti dy herë Francën në garë kur gjithçka dukej e humbur. Shënoi 4 gola në një finale Botërori, nga të cilët tre me penallti e vërtetë, por kjo e dhënë nuk e bënë rezultatin më pak të rëndësishëm.

Skuadra e tij e mbështeti më pak se sa bëri Argjentina për Messin. Pasi humbën para se të nisnin Benzema, Pogba e Kante, humbën gjatë finales edhe Theon, Giroud dhe Griezman, shumë edhe për Mbappe. Franca në kompleks vlen më shumë se Argjentina, ka një organikë më të mirë, e ardhmja është e saj. Mund edhe të mos fitojë Europianin e ardhshëm apo Botërorin që do të vijë, por vështirë të mos jetë protagoniste në të dy edicionet.

Ishte finalja botërore më e bukur, të paktën deri aty ku arrin memorja. Ndodhi në turneun më të çmendur, për vendzhvillimin apo kohën e luajtur, por si konfirmim se futbolli dhe sporti dinë të gjejnë vetë ilaçin për të shpëtuar, kur gjithçka duket kundër. Kemi parë disa finale, por një finale në atmosferë Krishtlindjesh jo, e megjithatë për të thënë të vërtetën nuk kemi nevojë për një bis. Edicioni i ardhshëm do të kthehet në verë, si kompensim do të luhet në 3 vende, (Kanada, SHBA, Meksikë), dhe do të ketë 48 skuadra në vend të 32, me shpresën që këtë herë të jetë aty për herë të parë, edhe Shqipëria jonë, do të ishte për ne, Botërori më i bukur./Super Sport

Top Channel