Scaloni para finales me Francën: Krenar për kombëtaren, nuk luan vetëm Messi me Mbappe

17/12/2022 16:18

Lionel Scaloni është vetëm një ndeshje larg historisë me trajnerin argjentinas që nuk i fsheh aspak emocionet e finales së madhe që do të ketë me Argjentinën e tij teksa do të sfidojnë Francën.

Në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes, numri një i pankinës “albiceleste” u shpreh se skuadra është gati për këtë ndeshje që mund t’i fusë në histori, por në anën tjetër vuri në pah faktin se Franca nuk ka vetëm Mbappe, por dhe shumë lojtarë të tjerë prej të cilëve duhet shumë kujdes.

“Ne kemi tifozët më të mirë në botë dhe ata e meritojnë këtë gëzim.Të jesh kaq pranë trofeut është një emocion që e ndjejnë të gjithë në Argjentinë, Jemi të lumtur që ne jemi arsyeja e gëzimit të tyre dhe do të bëjmë më të mirën tonë për ta. Skuadra është në gjendje të mirë para kësaj ndeshje. Të gjithë kanë dhënë maksimumin dhe janë të gatshëm. Për ne të gjithë janë të rëndësishëm dhe ata që nuk kanë patur hapësira. Jemi gati ta shijojmë këtë moment dhe të hyjmë në histori. Personalisht jam krenar për momentin që kemi arritur. Janë momente që duhen shijuar. Kur je para një finaleje të tillë duhet ta shijosh momentin, pasi kjo të ndihmon dhe në rrjedhën e ndeshjes”.

Në finalen e madhe do të ketë dhe një përballje po aq interesante mes Messit dhe Mbappe, por për trajnerin e “albicelesteve” nuk duhet të jetë fokusi vetëm te një lojtar, pasi tek “gjelat” ka shumë futbollistë që mund të zgjidhin ndeshjen veç Mbappe.

“Ne e përgatisim ndeshjen tonë duke u bazuar tek kundërshtari, tek mënyra se si ne mendojmë se ata do luajnë përballë nesh. Nëse kjo është ndeshja e fundit e Messit në një Kupë Bote shpresoj ta fitojmë Kupën dhe për të. Duhet ta shijojmë këtë moment. Luan Franca dhe Argjentina, përtej sfidës Messi dhe Mbappe. Messi është në gjendje të mirë, por mos të harrojmë se të dyja ekipet kanë shumë lojtarë me cilësi që mund të vendosin ndeshjen krahas këtyre të dyve: Si do e ndalim Mbappen? Do jetë më shumë një punë ekipore sesa individuale, kjo vlen jo vetëm për Mbappe pasi Franca ka shumë lojtarë të mirë. Mbappe është ende i ri dhe jam i bindur se do të përmirësohet akoma dhe më shumë.

Scaloni kërkon të largojë presionin, duke theksuar se qëllimi i punës që ai ka nisur ka qenë që të bëjë popullin argjentinas të lumtur.

“Kombëtarja e Argjentinës nuk është e imja apo e një individi është e të gjithë argjentinasve. Jam munduar që t’u jap mundësinë të gjithë lojtarëve që të tregojnë veten. Kemi një grup me shumë cilësi që japin maksimumin kur veshin fanellën e kombëtares. Synimi ynë ka qenë që të besojmë tek projekti që nisëm me një skuadër që sjell gëzim për popullin tonë dhe kjo u realizua”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA