Në rrugën Qukës-Qaf Plloçë, auditimet zbulojnë se janë paguar para edhe për zëra të tjerë që nuk argumentohen.
Fjala është për disa automjete për konsulentin që nuk u vunë në dispozicion, edhe pse paratë ishin alokuar nga ministria. Ky abuzim i kushton shtetit edhe 140 mijë dollar shtesë për lotin e parë dhe lotin e tretë vetëm për automjetet e mbikqyrësit. Pavarësisht faktit se zbatimi i kontratave është në proces, nga ana e mbikëqyrësit të punimeve nuk janë zbatuar siç duhet termat e kontratës.
Auditimet zbulojnë problem thelbësore me cilësinë e rrugës. Sipas projektit, trupi I rrugës ishte dhënë kudo i njëjtë, duke mos llogaritur zgjerimet e nevojshme, kryqëzimet, vend parkimet, sistemet e kullimit dhe drenazhet. Paketa e shtresave rrugore ishte projektuar uniformë, pavarësisht formacioneve gjeologjike të ndryshme.
“Ne kur i ndërtojmë rrugët nuk i marrim në të gjithë gjerësinë e saj, nuk ruhen nganjëherë dhe parametrat, cedeojmë të ashtuquajtura korsi të emergjencës që janë të detyrueshme në autostrada ne i kemi në përmasa shumë më të vogla sa standardi. Por kjo është në dëm të lëvizshmërisë, se ju pak më përpara më thatë që ka një propozim për rritje shpejtësie, por a mund të rritet shpejtësia kur ka cedime të tilla”, u shpreh Fatmir Hasho, ekspert për sigurinë rrugore.
Tejzgjata e punimeve ka sjellë dëme edhe për ato sektorë që janë realizuar në terren. Kjo, do të sjellë nevojën për para shtesë për riparimin e amortizimeve për shkak të pezullimit të punimeve.
“Nga vizita në terren u konstatua se; skarpatat e krijuara nga gërmimi kanë humbur formën e tyre dhe rrëshqitje ku në disa raste kanë dëmtuar muret pritëse, materiali i rënë nga skarpatet ka krijuar mbushje pas mureve pritëse i cili nuk është i përshtatshëm për kullimin e ujërave i cili duhet të pastrohet dhe të bëhet mbushja me materialin e parashikuar në kontratë”.
Top Channel