“Cristiano nuk ia doli, Messi po përpiqet”, Perisic: Japim jetën që Modric të fitoj!

13/12/2022 08:32

Kroacia përgatitet për ndeshjen gjysmëfinale të Kupës së Botës ku pas eliminimit të Brazilit, ballkanasit synojnë të përsërisin surprizën edhe ndaj Argjentinës së Lionel Messit.

Të udhëhequr nga Luka Modric, skuadra e trajnerit Zlatko Dalic ka përpara një “malore”, megjithatë kroatët kanë provuar të paktën në këto dy Botërorë të fundit se nuk dorëzohen kurrë, aq më tepër kur janë sërish kaq pranë një finaleje.

Një nga liderët e skuadrës, Ivan Perisic iu bën thirrje shokëve të ekipit të vijojnë luftën e tyre në Katar edhe për shkak të Modric, që sipas anësorit e meriton triumfin në Kupën e Botës.

“Cristiano nuk ia doli, Messi ende po përpiqet, por ne do të japim jetën që këtë Botëror ta fitoj Modric. Argjentina është një skuadër e madhe dhe aty nuk është vetëm Messi. Por, sigurisht Leo është i madh, lojtari i tyre më i mirë, do të hasim vështirësi për ta ndalur atë.

Megjithatë, ne jemi të përgatitur dhe në fushë do të japim gjithçka, shpresoj që të bëjmë ndeshjen më të mirë të turneut dhe shpresoj të jetë mjaftueshëm për të prekur finalen”, tha Perisic.

Top Channel