Vllaznia zhgënjen në shtëpi përballë Egnatias, Latifi “tradhton” shkodranët

12/12/2022 18:46

Vllaznia del me kokën ulur nga stadium Loro Boriçi teksa shkodranët u mposhtën me rezultatin 0-1 nga Egnatia me golin vendimtar që u shënuan në minutën e 44-të të pjesës së parë nga ana e Fernandos.

Mesfushori brazilian përfitoi nga një gabim i kuqebluve dhe me një goditje të saktë mposhti portierin Zogovic që nuk pati mundësi për të reaguar. Në fraksionin e dytë, vendasit provuan të reagonin dhe shansi i artë iu erdhi në minutën e 55-të kur Liridon Latifi u shfaq te pika e 11-metërshit. Por, sulmuesi anësor gaboi tërësisht penalltinë me topin që shkoi shumë larg kuadratit të Sherrit.

Në vijim, Egnatias iu anulua një gol nga sistemi VAR pasi Atanda i shkaktoi faull në nisje të aksionit ndaj Aralicës. Nga ana tjetër, Vllaznia nuk mundi të krijonte një tjetër rast të pastër me ndeshjen që u mbyll me humbjen 0-1 teksa rrogozhinasit ngjiten në vendin e tretë me 21 pikë ndërsa nga ana tjetër, Vllaznia është në vend të pestë me 19 pikë.

Top Channel