Ndërsa Botërori i Katarit po shkon drejt fundit, skuadrat e Kategorisë Superiore zbresin në fushën e lojës.
Partizani shpërdoroi një rast të mirë për të marrë tre pikë përball një Erzeni të pandalshëm, që brenda 90 minutave mbylli gjtihçka në një barazim 3-3 duke evituar sërish humbjen.
Shijakasit kaluan të parët në avantazh me anë të Nonaton, ndërkohë që shumë shpejt Tedi Cara barzpeshon shifrat duke i dhënë një tjetër ritëm dhe moral të kuqve. Rasti më i mirë i kryeqytetasve për të kaluar në avantazh ishte një 11-metërsh në minutën e fundit të shtesës, por që Xhuljano Skuka pas paraqitjeve mjaft të mira me kombëtaren e humbi shansin për të çuar skuadrën e tij në avantazh në dhomat e zhveshjes.
Gjithsesi, në pjesën e dytë fraksionin e dytë, Partizani ia doli të shënonte golin e dytë me anë të Arinaldo Rrapajt në minutën e 48-të. Shtatë minuta më pas, Skuka rikuperoi gabimin e pjesës së parë dhe pas një këmbëngulje të gjatë në zonën e shijakasve realizoi edhe golin e tretë të sfidës duke rikthyer qetësinë tek të tijtë.
Në minutat në vijim, shiu i rrëmbyeshëm detyroi gjyqtarin të ndërpresë ndeshjen ë Elbasan Arena për disa minuta dhe me rikthimin në fushë Erzeni dukej të kish rigjetur forcën e reagimit dhe shumë shpejt gjen golin me Kadriun.
Në vijim, faktor u bë sistemi VAR dhe Erzeni fitoi penallti me Kahrimanoviç që ekzekutoi saktë nga 11-metrat për t’i dhuruar një pikë të artë të tijve.
Më herët kjo javë 13-të e Superiores kish startuar me sfidën Bylisit-Laçi, një takim që filloi me një ngjarje të rrallë, atë të shembjes së rrethimit të stadiumit ‘Adush Muça’ për shkak të reshjeve të dendura të shiut të orëve të fundit. Lajmi i mirë është se nuk ka pasur të lënduar, por vetëm dëmtime të disa makinave që ishin parkuar pranë impiantit.
Sa i përket takimit 3 pikët shkuan për Laçin që fituan 1-0 falë golit të Adelekes duke i dhënë kështu fitoren e parë Gentin Meznit që sapo ka marrë drejtimin e Laçit.
Edhe Edi Martini e nis me fitore aventurën e tij të tretë në pankinën e Teutës. Skuadra durrsake mundi Kukësin në transfertë me rezultatin e ngushtë 1-0 duke thelluar krizën e verilindorëve. Ishte Lorenco Vila ai që i dha këtë fitore skuadrës së Teutës me golin e shënuar në minutën e 61.
Një fitore kjo e durrsakëve që solli më pas edhe dorëheqjen e trajnerit të Kukësit Enkeleid Dobi, trajneri i dytë në 13 javë për Kukësit pas largimit të Skënder Gegës.
Top Channel