Çalja: Do të synoj medaljen/ Peshëngritësi nga Shtërmeni është i vetmi në botëror

08/12/2022 19:57

Peshëngritësi nga Shtërmeni është i vetmi për Shqipërinë në Botëror.

Briken Calja është peshëngritësi i vetëm i Shqipërisë pjesëmarrës në Botërorin që ka startuar më datë 5 dhjetorë në Bogota të Kolumbisë.

Nën statusin e kampionit të botës sportisti i klubit Tirana ka kaluar një vit mjaft të vështirë me shumë dëmtime, aq sa rrezikoi edhe karrierën, por tashmë gjithçka ka kaluar. Në një intervistë të fundit përpara garës së tij të së shtunës, peshëngritësi na Shtërmeni na tregon përgatitjet e fundit.

“Kam patur ndryshime për mirë krahasuar me Botërorin e kaluar, çdo test që kam bërë kam bërë rezultate më të mira se vitet e shkuara, tani i mbetet garës që të bëjë më të mirën atje”, tha Briken Calja-peshëngritës.

Ndryshe nga kampionatet e tjera ky Botëror si kualifikues i lojërave Olimpike tashmë ka pësuar edhe një ndryshim në strukturën e grumbullimit të pikëve duke ngjeshur disa kategori peshash në vetëm 5 të tilla, një lëvizje që shumëfishon konkurrencën.

“Di të them që kam një garë shumë të fortë përpara sepse bëhet fjalë për një garë kualifikuese dhe është vështirësuar jashtëzakonisht shumë pasi janë bashkuar 3 pesha në 1, 67 kg dhe 81 kg kanë kaluar tek pesha deri në 73 kg. Megjithatë di të them që kjo gjë nuk më tremb aspak, ai që më tremb është vetëm Brikeni, nëse Brikeni do të jetë në formën e tij më të mirë do të bëjë mrekullira”, u shpreh Briken Calja-peshngritës.

Por kur do të debutojë në Botëror Briken Calja dhe si e parashikon këtë garë?

“Gara është në datë 9, jam shumë mirë nga ana fizike, jam shumë më lart se garat e tjera dhe shpresojë që të shkojë deri në fund kështu dhe të bëjë më të mirën dhe pse jo t’i sjell medalje Shqipërisë”, deklaroi peshëngritësi.

Në këto teste të tija të fundit në Shqipëri Calja veç trajnerit të tij Gerald Toska pati edhe asistencën trajnerit të njohur Zef Kovaçi.

Top Channel