Al Khelaifi “tallet” me Juventusin: Superligën ta luajë e vetme, në një stadium në shkretëtirë

08/12/2022 22:49

Presidenti i PSG, Nasser Al Khelaifi ka mbajtur gjithnjë një qëndrim kundër idesë së krijimit të një kompeticioni të ri europian të quajtur Superliga. Një iniciativë kjo e Real Madrid, Barcelona dhe Juventus.

Një ide që tashmë duket shumë e vështirë për t’u realizuar, aq më tepër që një prej mbështetësve më të mëdhenj të saj, Andrea Agnelli është tërhequr nga bardhezinjtë si pasojë e problemeve financiare.

Dhe, në këtë pikë, duke njohur tashmë vështirësitë e mëdha që po has Juventus, Al-Khelaifi duket se ka gjetur edhe momentin më të përshtatshëm për t’u “tallur” me italianët.

“Superliga? Asnjë klub nuk do të merrte pjesë dhe asnjë nuk do të shkonte në stadium për të parë ndeshjet. Do të ishte një kompeticion me vetëm tre skuadra (Juventus, Real dhe Barcelona). Fansat e futbollit nuk do ta lejonin kurrë krijimin e një kompeticioni si Superliga.

Këtyre tre klubeve që kërkojnë Superligën, iu them se nëse nuk iu pëlqen Champions League, atëherë të mos marrin pjesë. Le ta luajë Juventusi Superligën e vetme në një stadium në shkretëtirë”, tha Al Khelaifi.

Top Channel