Një ditë pasi Rusia njoftoi se dy baza të saj ajrore ishin goditur me dronë, përfshirë dhe një që ndodhet shumë larg kufirit me Ukrainën, një tjetër bazë ruse është goditur po me dronë, duke ngjallur shqetësimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që reaguan ashpër ndaj këtyre zhvillimeve.
Departamenti amerikan i Shtetit tha se nuk kishte asnjë konfirmim që sulmet ishin kryer nga Ukraina. Megjithatë, kreu i diplomacisë amerikane, Antony Blinken, e theksoi me forcë se SHBA-ja “as nuk i ka inkurajuar dhe as i ka lejuar ukrainasit që të godasin brenda Rusisë”.
“Ne as nuk i kemi inkurajuar dhe as u kemi mundësuar ukrainasit goditjet brenda Rusisë. Pavarësisht kësaj, gjëja e rëndësishme është të kuptojmë se çfarë po përjetojnë ukrainasit çdo ditë me agresionin e vazhdueshëm rus kundër vendit të tyre dhe vendosmërinë tone, së bashku me shumë partnerë të tjerë nëpër botë, për t’u siguruar që ata të kenë në duar pajisjet që u nevojiten për të mbrojtur veten, territorin dhe lirinë e tyre”– u shpreh Blinken.
Në 5 dhjetor, një shpërthim i fuqishëm ndodhi në bazën ajrore ruse në rajonin Saratov, rreth 600 kilometra në lindje të Ukrainës. Po ashtu është raportuar edhe për një shpërthim në një bazë ajrore në Riazan, në juglindje të Moskës.
Ministria e Mbrojtjes së Rusisë deklaroi se sulmet u kryen nga dronët ukrainas. Vetë autoritetet në Kiev nuk kanë bërë ende asnjë koment mbi këto shpërthime.
Top Channel