“Kushdo që nuk nënshtrohet do të eliminohet”/ Presidenti kolumbian dërgon ushtrinë në Santa Marta
Kisha Katolike e Panamasë ka regjistruar 37 akuza për dhunë seksuale ndaj të miturve dhe personave vulnerabël nga anëtarë të klerit, gjatë periudhës 2001–2025.
Të dhënat janë bërë publike në një raport të hartuar me kërkesë të vetë Kishës dhe të publikuar të martën. Hetimi u krye nga Universiteti Villanueva në Spanjë dhe Universiteti Notre Dame në Shtetet e Bashkuara.
Raporti kishte për qëllim të shqyrtonte mënyrën se si Kisha Katolike e Panamasë kishte trajtuar “realitetin e abuzimit seksual të të miturve”.
Gjatë prezantimit të dokumentit, kryepeshkopi panamez José Domingo Ulloa kërkoi sërish falje ndaj viktimave. Kisha kishte kërkuar falje publikisht për herë të parë në vitin 2023.
Sipas raportit, pesë anëtarë të klerit u çregjistruan nga Kisha për shkak të akuzave të ngritura ndaj tyre.
Hetimi nuk gjeti prova për ekzistencën e një politike të qëllimshme të Kishës për fshehjen e rasteve, por evidentoi probleme në mënyrën se si janë trajtuar akuzat.
Një nga autoret e raportit, María José Valero, theksoi se numri i rasteve të regjistruara nuk përfaqëson domosdoshmërisht të gjitha rastet e përjetuara nga të mbijetuarit.
Zbulimet e reja vijnë në një periudhë kur Kisha Katolike është përballur me një sërë skandalesh të profilit të lartë lidhur me abuzimin seksual, veçanërisht ndaj të miturve.
Në Francë, Papa Leo XIV pritet ta trajtojë këtë çështje gjatë vizitës së tij, në një kohë kur janë bërë publike raste të reja abuzimi, përfshirë akuzat e ngritura pas vdekjes ndaj Abbé Pierre dhe skandalin në institucionin katolik Notre-Dame de Bétharram.
Kreu i Kishës Katolike Romake pritet të takohet të dielën në Lourdes, në Pirenej, me shtatë viktima të abuzimeve.
Top Channel