Te Polonia e kanë të qartë se ndaj Francës do vuajnë, por frika nuk ekziston dhe Robert Lewandowski me shokë janë të karikuar në maksimum për të zhvilluar një ndeshje të madhe ndaj kampionëve në fuqi të botës.
Trajneri i Polonisë, Czeslaw Michniewicz vlerësoi skuadrën e Didier Deschamps, ndërkohë që nuk e kurseu batutën në lidhje me taktikat mbrojtëse, ndaj të cilave nuk do heqë dorë as ndaj “Gjelave”. “Ne nuk kemi frikë nga Franca. I respektojmë kundërshtarët tanë dhe klasin e tyre, por nuk na intereson fare Franca. Nuk i kemi bërë gati valixhet.
Nuk ishim gati të riktheheshim në shtëpi përpara Argjentinës, nuk jemi gati as tani. E dimë që na pret një ndeshje është e vështirë, Mbappe-Griezmann janë në formë të shkëlqyer, por edhe ne kemi pikat tona të forta. Kemi lojtarë të mëdhenj, jemi gati për këtë ndeshje të madhe.
Taktikat mbrojtëse? Ata që nuk kanë luajtur në mbrojtje kanë shkuar në shtëpi dhe po e shohin Botërorin nga televizori… Të gjithë janë të vetëdijshëm se nuk mund të lihen kundërshtarët të shënojnë lehtësisht. Kemi bërë mirë në mbrojtje, si shpërblim do të luajmë kundër Francës”, deklaroi Michniewicz./ Super Sport
Top Channel