Çmimi tavan që ka vendosur qeveria hungareze, po rëndon mbi drejtuesit e automjeteve në një mënyrë të papritur për ta, pikat e tregtimit kanë mbetur pa karburant të mjaftueshëm, e ndërkohë kompania shtetërore e prodhimit të gazit dhe naftës nuk po përballon dot kërkesën e lartë.
Në qindra pika të tilla, klientët njoftohen për sasinë e mbetur të karburantit apo çmimet. Në Martonvasar, rreth 30 kilometra në jugperëndim të kryeqytetit Budapest, drejtuesit e mjeteve informohen se mund të blejnë vetëm dy litra karburant me çmimin e reduktuar, të vendosur nga qeveria më shumë se një vit më parë. Por kompania shtetërore e energjisë MOL, nuk po arrin tashmë të furnizojë rregullisht bizneset, e kjo sjell kufizimin e sasisë së karburantit që vihet në dispozicion të klientëve.
Një numër i madh biznesesh thonë se nuk janë furnizuar nga MOL prej 3 javësh tashmë. “Furnizimi ka shkuar saktësisht në zero, karburanti me çmim të rregulluar po zhduket nga tregu”, tha për Associated Press Laszlo Gepesz, pronar i një pike të vogël karburanti është bashkëkryetar i Shoqatës së Bizneseve të Pavarura të Karburanteve në vend.
Qeveria hungareze vendosi vitin e kaluar që 1 litër naftë apo benzinë të shitej me 1.22 dollarë (480 forints). Me problemet e importit pas luftës në Ukrainë, kompania shtetërore u bë vetmja e cila prodhonte naftë e gaz që mund te shitet me çmimin e kontrolluar. Por kapacitetet e saj nuk mund të përballojnë të furnizojnë të gjithë vendin me karburant të lire.
Top Channel