Dhuna nuk ndalet, protestuesit arrijnë të hyjnë në Ministrinë e Financave, thyhen edhe xhamat e KQZ
Nga Filip Çakuli
Për të rrëzuar qeverinë, po djegin qytetin. Për të ndëshkuar pushtetin, po shkatërrojnë pronën e njerëzve të zakonshëm. Dhe këtë e quajnë protestë.
Digjen koshat, shkulen semaforët, sulmohen institucionet dhe u vihet flaka bizneseve. Më kujtohet batuta e famshme e filmit: “Po me urën ç’patën?”
Po me semaforët ç’patën? Po me kioskat? Mos fshihet Rama brenda ndonjë dyqani, mes arkës dhe banakut?
Zemërimi ndaj qeverisë mund të jetë i ligjshëm. Por asnjë zemërim nuk të jep të drejtën t’i vësh zjarrin pronës së tjetrit. Protesta është e drejtë, vandalizmi është krim. Kush i ngatërron, nuk po lufton pushtetin, por po terrorizon qytetarin.
Bizneset nuk janë zyra të qeverisë. Janë djersa e njerëzve që kanë kursyer me vite për të siguruar bukën e familjes.
Një kioskë në hyrje të Rrugës së Durrësit e kishte ngritur një burrë i moshuar, me paratë e mbledhura gjatë gjithë jetës. Nuk kishte marrë tendera, nuk kishte ndërtuar kulla. Kishte ngritur një kioskë, sa për të ushqyer familjen. Sot ia vunë flakën. Plaku me flokë të thinjur e shikonte kioskën duke u djegur dhe qante si fëmijë. Mu mbushën sytë me lot. Ai nuk po qante për Ramën apo Berishën. Po qante për jetën e tij, që po i bëhej hi para syve. Lutej të vinte policia. Por nuk kishte asnjë polic aty pranë.
Ndërkohë, drejtori i Përgjithshëm i Policisë deklaronte se forcat e rendit po mbronin qytetarët dhe bizneset.
Drejtor, ku ishte kjo mbrojtje? Te mikrofoni juaj apo te kioska që digjej? Policia nuk mund të parandalojë çdo akt dhune, por duhet të shpjegojë çfarë bëri për ta ndalur. Nëse nuk kishte forca të mjaftueshme, pse? Nëse ndërhyrja ishte e pamundur, përse? Nëse kishte neglizhencë, kush mban përgjegjësi? Deklaratat nuk shuajnë flakët dhe as nuk i kthejnë qytetarit kursimet e jetës.
Por përgjegjësia e policisë nuk e shfajëson vandalin. Përkundrazi, protestuesit që sulmojnë biznese e shkatërrojnë qytetin nuk mund të fshihen pas zemërimit popullor. Kush hedh gurë mbi policinë, djeg pronën apo sulmon një dyqan, duhet të mbajë përgjegjësi individuale. Nuk është hero sepse mban një flamur opozitar dhe nuk bëhet revolucionar sepse shkul një semafor.
Qeveria mund të vazhdojë punën, liderët mund të largohen me makinat e tyre, ndërsa qyteti mbetet me dëmet dhe njerëzit me humbjet. Plaku i kioskës nuk do të marrë asnjë kompensim nga brohoritjet e protestuesve. As do ta ushqejë familjen me parullat e tyre.
Dhe këtu është mashtrimi i madh: thonë se po luftojnë për popullin, ndërsa djegin pronën e popullit. Thonë se kërkojnë drejtësi, ndërsa ia mohojnë atë një qytetari që nuk u ka bërë asgjë.
Nëse kjo është luftë kundër qeverisë, pse faturën duhet ta paguajë një plak që nuk ka as pushtet, as faj?
Policia duhet të përgjigjet për mbrojtjen që nuk u garantua. Vandalët duhet të përgjigjen për shkatërrimin që shkaktuan. Dhe organizatorët e protestës duhet të distancohen qartë nga dhuna, jo ta përdorin si sfond për spektaklin e tyre politik. Në mbrojtjen e godinës së qeverisë, policia ishte në gatishmëri dhe nuk i lejoi protestuesit ta preknin. Por unë do të parapëlqeja t’i vinin zjarrin kësaj godine, se sa kioskës së plakut të thinjur. Me fjalë të tjera, policia duhej të ishte rreshtuar para asaj kioske dhe kioskave të tjera, dyqaneve, bankave, apo çdo lloj biznesi. Natyrisht nuk jam që të digjen institucionet, as e qeverisë, as e ministrive. Thjeshtë ishte metaforë parapëlqimi im.
Sepse një protestë nuk matet me numrin e gurëve që hidhen, por me forcën e kërkesave që parashtron. Kur shkatërron qytetin në emër të shpëtimit të tij, nuk je çlirues. Je bërë pjesë e problemit. Në flakët, që kanë përfshirë kryeqytetin dhe qytetet e tjera, kryeministri nuk mund t’i ngjajë Neronit, që i binte lirës, kur Roma u dogj. Duhet një reflektim urgjent i tij.
Dhe në fund mbetet batuta e filmit, më aktuale se kurrë: “Po me urën ç’patën?” Po me kioskën e plakut ç’patën?
Ai nuk kishte as pushtet, as tendera, asgjë. Kishte vetëm një kioskë për të ushqyer familjen.
Qeveria mund të mos bjerë nga protesta. Por plaku ra në gjunjë para kioskës së djegur. Dhe asnjë parullë revolucionare nuk do t’ia ngrejë më në këmbë.
Shënim: Ky shkrim është ekskluziv për Top-channel.tv
Top Channel