61 minuta rikuperim të shfaqura në tabelën e gjyqtarit të katërt në 4 ndeshjet e para të Botërorit. Në detaj, 5+5 në ndeshjen përurese, Katar – Ekuador, 14+13 në Angli – Iran, 2+9 në Senegal – Holandë, 4+9 në Shtetet e Bashkuara – Uells.

Duket një tjetër sport në krahasim me atë që jemi mësuar në kampionatet e ndryshme, ku zakonisht jepen 5 apo 6 minuta shtesë. Por në “Katar 2022” Botërori, me vullnetin e Presidentit Infantino, ka disa veçanti, si ajo për t’i thënë jo shiritit “One Love” në mbështetje të komunitetit LGBT, që disa kombëtare dëshironin të kishin në krah, por u ndaluan, apo dhe ekstra shtesat.

Për të thënë të vërtetën, prillin e kaluar, Infantino i kishte paraprirë asaj që do të ndodhte në Botërorin e parë të luajtur në dimër, gjatë një interviste ku kishte shpjeguar:

“Duhet të bëjmë një reflektim mbi kohën efektive të lojës. Në çdo ndeshje ka shumë kohë të humbur. Është nevoja të rishohim diçka pasi spektatorët paguajnë për të parë 90 minuta futboll, ndërkohë që ndeshjet realisht zgjatin 50 minuta. Nuk them që t’i çojmë 100 minuta, por, pa dyshim, koha rikuperimit që jep arbitri duhet të jetë e lidhur ngushtësisht me minutat e humbura gjatë ndeshjes”.

Kjo ishte një mënyrë për t’i thënë jo kohës efektive të kronometruar, siç ndodh në sporte të tjera, si basket, regbi apo futboll amerikan, por edhe për të dhënë një sinjal të parë të asaj që do të ndodhte në Katar. Presidenti i Komisionit të arbitrave të FIFA-s, Pierliugi Collina, jo rastësisht pak ditë para Botërorit kishte shpjeguar: “Duam të evitojmë ndeshje me 42 minuta lojë efektive”.

Natyrisht që krijuan sensacion 27 minutat e kohës shtesë në Angli – Iran, nëse 14 minutat e pjesës së parë gjenin një justifikim te dëmtimi i rëndë që pësoi portieri i Iranit Beiranvand, pasi koha kishte ndalur për 12 minuta mes mjekëve në fushë rinisjes së lojës dhe një tjetër ndalese, 13 minutat shtesë në pjesën e dytë kishin pak shpjegim. 10 minutat e shtesës së akorduar që u bënë 13 për shkak të penalltisë që u akordua për Iranin, u dukën të ekzagjeruara. Skepeticizëm edhe për 13 minutat e shtesës në SHBA- Uells, pavarësisht zëvendësimeve dhe humbjes së kohës para penalltisë së Bale.

Top Channel