Situata në vend pas reshjeve të shumta dhe përmbytjeve në disa zona, kryesisht në Shkodër dhe Lezhë paraqitet e normalizuar, sipas Ministrisë së Mbrojtjes.

Sipas të dhënave të fundit nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile në AKMC, ka pasur reshje me intensitet të ulët herë pas here, të cilat nuk kanë ndikuar në përkeqësimin e situatës.

Në qarkun e Shkodrës nuk ka prani uji në asnjë banesë dhe banorët janë kthyer në shtëpitë e tyre. Ndërsa në Lezhë ka prani uji në 4 banesa.

Forcat e emergjencave civile janë në gatishmëri dhe të ndihmë të banorëve, duke shpërndarë edhe ndihma humanitare. Janë shpërndarë 450 pako ushqimore për bashkitë Pukë, Vau i Dejës dhe Lezhë.

Aktualisht niveli i të gjithë lumenjve është në kuota nën nivelin kritik. Akset rrugore në të gjithë vendin paraqiten përgjithësisht të lira për qarkullimin e automjeteve.

Forcat e Armatosura, Policia e Shtetit, punonjësit e pushteti vendor si dhe shërbimi mjekësor do të qëndrojnë në terren edhe përgjatë orëve në vijim.

Top Channel