Pas një operacioni të madh shpëtimi në një det tepër të trazuar, një anije e madhe peshkimi në gjendje të keqe e mbushur plot me emigrantë, është ankoruar në portin e Paleochorës në jug të Kretës.
Sipas autoriteteve greke, në bordin e saj ndodheshin 430 emigrantë, mes tyre 100 fëmijë. Madje tre prej tyre janë dërguar menjëherë në qendrën shëndetësore, me simptoma asfiksie nga kushtet e vështira.
Anija ndodhej në zonën detare rreth 20 milje detare në jug të Paleochorës, kur pak minuta pas mesnate, dërgoi një sinjal rreziku pasi kishte humbur kontrollin. Menjëherë ka filluar operacioni gjigant i Marinës greke e cila ka dërguar një rimorkiator, fregatën “Kanaris”, ndërsa kanë dhënë ndihmën e tyre dy anije mallrash dhe tre anije peshkimi italiane.
Operacioni është zhvilluar ndërsa në zonë mbizotëronte mot i keq me det mbi 7 ballë dhe dallgë 2.5 metra.
“Siç mund ta shihni, anija sapo është ankoruar dhe është në një gjendje shumë të keqe. Njerëzit janë një mbi një, nuk ka as një metër katror për person. Fatkeqësisht anija kishte humbur kontrollin, nuk ka mundur t’i afrohet portit për shkak të detit të trazuar, është tërhequr këtu dhe tani do të vijë një autobus për t’i marrë njerëzit e për ti çuar në port, ku do të akomodohen përkohësisht në një anije”, tha Antonios Perrakis kryebashkiaku Kandanos-Selinos.
Eimgrantët e shpëtuar shumica nga Egjipti e Siria, kanë falenderuar ekipet e shpëtimit ,ndërsa kanë deklaruar se ishin nisur nga Libia me destinacion Italinë, por anija ka pësuar defekt dhe ka humbur drejtimin.
Ministri i grek i Marinës Detare dhe Politikës Ishullore, Yiannis Plakiotakis, ka përgëzuar rojën bregdetare për suksesin e operacionit të shpëtimit në kushtet e vështira atmosferike, duke siguruar njëkohësisht se Greqia do të vazhdojë të mbrojë efektivisht kufijtë e saj detarë.
Top Channel