Fituesi i Topit të Artë braktis stërvitjen, Botërori në rrezik

19/11/2022 22:30

Lajm i keq për Francën një ditë para nisjes së Botërorit.

Karim Benzema braktisi stërvitjen e “bluve” në stadiumin Jassim bin Hammad dhe duket se e ka humbur ndeshjen e parë përballë Australisë, që do të zhvillohet të martën e ardhshme. Analizat më të detajuara do të tregojnë nëse bëhet fjalë për një mungesë të përkohshme apo për humbjen përfundimisht të Botërorit.

Sulmuesi i ishte bashkuar grupit sot (të shtunën), së bashku me Varane, për herë të parë që nga fillimi i grumbullimit. Gjatë 15 minutave të hapura për mediet, ai u stërvit normalisht, por në gjysmë të seancës me dyer të mbyllura iu desh të largohej. Aktualisht nuk ka asnjë lajm për shkallën e këtyre problemeve fizike që ka pësuar sulmuesi i Realit.

Edhe Federata Franceze hesht për momentin për gjendjen fizike të Benzemasë. Sulmuesi po ndiqte një plan për një rikthim gradual në dinamikën e grupit dhe ndjesitë ishin ende të mira. Në seancën e djeshme stërvitore me dyer të mbyllura, tashmë lojtari hodhi një tjetër hap, ndonëse ishte ende jashtë grupit, me ushtrime force dhe goditje në portë.

Si lojtari ashtu edhe mjekët francezë kanë qenë optimistë gjatë gjithë kësaj kohe për rikthimin e sulmuesit për ndeshjen debutuese të datës 22, kundër Australisë, por ajo që ndodhi në gjysmën e seancës së kësaj të shtunë nuk tregon për një perspektivë të mirë të gjendjes së tij fizike./ Super Sport

Top Channel