Protesta kundër traut në parkun kombëtar të Divjakës është tensionuar këtë të premte, ku banorët janë përplasur me policinë.
Ata thyen xhamat e kabinës, në të cilën ishte planifikuar që të mblidhej pagesa që do të kryenin banorët për të hyrë në parkun kombëtar të Divjakë-Karavastasë.
Ky vendim i Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit nuk kundërshtohet vetëm nga banorët e zonës, por edhe nga vetë bashkia.
Për të shkuar në plazhin e Divjakës, rruga që duhet të përshkruash është një e vetme, për te cilën Ministria e Turizmit do t’i detyrojë vendasit të paguajnë para për të hyrë në plazhin publik.
Për t’i treguar ministres së Turizmit, Mirela Kumbaro që ka vetëm një rrugë që të dërgon në plazhin publik, qytetarët e Divjakës kanë vendosur që kësaj herë të protestojnë duke marshuar nga qendra e Divjakës deri në hyrje të parkut.
Protestuesit fillimisht u mblodhën në mëngjes para bashkisë së Divjakës, ku më pas marshuan në këmbë drejt parkut kombëtar, protestë e cila zgjati për tre orë.
Kjo ishte dita e pestë që qytetarët protestuan kundër vendimit, ndërsa edhe një ditë më parë pati përplasje mes banorëve dhe policisë.
Banorët thonë se ishin ata që e ruajtën parkun nga dëmtimi dhe flakët gjatë vitit të trazuar 1997.
“Kjo e vogël është por dëmin e bën shumë të madh, në turizëm, në biznes, në komunitet, nuk ka hyrje dalje tjetër, do të na kushtonte shumë, nuk donim të konfliktoheshim, ne nuk kthehemi mbrapsht, mesazhin ia kemi dërguar ministres, nuk mban më, duam ta largojmë këtë kabinë”, tha një prej protestuesve.
Ky vendim për bizneset e zonës është një rëndesë më e madhe pasi vizitorët që vijnë në park janë më shumë ditorë dhe Divjaka nuk bën pjesë në turizmin elitar.
Sipas tyre çdo lloj tarife do rëndojë vizitorin pasi në Divjakë do paguash për të hipur te kulla, për të shëtitur me varka, për të bërë guida me biçikletë, etj.
Deputeti i PS, Erion Braçe kundërshtoi këtë vendim të ministres Kumbaro për të vendosur këtë kabinë që do të vjelë paratë e qytetarëve të zonës për të hyrë në këtë zonë të mbrojtur.
Top Channel