“Më mirë të luaj me ne, se të merret me golf”, një klub kërkon Haaland në huazim

14/11/2022 19:54

Jemi në javën e Kupës së Botës dhe futbolli i klubeve do të ndalet për më shumë se një muaj.

Një nga futbollistët që me siguri do t’i mungojë shumë Botërorit është Erling Haaland. Norvegjia e sulmuesit të Manchester Cityt nuk ia doli të kualifikohej dhe në këtë formë, bomberi është jashtë eventit madhor.

Kjo periudhë pauze me siguri do t’i shërbejë 22-vjeçarit për të pushuar pas një periudhe me shumë ndeshje.

Megjithatë, ka nga ata që kërkojnë të mos e lejojnë Haaland të relaksohet shumë. Është klubi i divizionit verior në ligat ulëta angleze, Ashton United që i ka bërë së fundmi një propozim Manchester Cityt.

Ata kërkojnë huazimin e Haaland për gjashtë javët e ardhshme ndërsa theksojnë për lojtarin është më mirë të luaj futboll se sa të merret me golf.

“Mendojmë se për Haaland është më mirë të luaj futboll në gjashtë javët e ardhshme se sa të merret me golf. Theksojmë se mbërritja e tij në këtë skuadër do të ishte perfekte si për skuadrën ashtu edhe për Haaland, ai do të përshtatej menjëherë me stilin e lojës të Ashton United”, thuhej në komunikatën e Ashton United.

Këta të fundit, kanë komunikuar edhe me Manchester City pasi e kanë seriozisht këtë ide për Haaland, megjithatë pritet që The Citizens ta refuzojnë menjëherë pasi bëhet fjalë për yllin e skuadrës./ Super Sport

Top Channel