Rrëfimi i gjatë nga Lewandowski/ Polaku flet për Barçën, Botërorin, Messin dhe zëvendësuesin e tij

13/11/2022 22:48

Robert Lewandowski këtë sezon është pjesë e Barcelonës, klub për të cilin këmbënguli gjatë për t’u transferuar teksa mbylli një epokë shumë të suksesshme me Bayern Munich.

Pavarësisht disa ulje e ngritjeve të katalanasve në këtë pjesë të parë të sezonit, polaku është shndërruar menjëherë në futbollistin kryesor për trajnerin Xavi Hernandez dhe me golat e tij ka ndihmuar skuadrën të renditet aktualisht në vendin e parë të La Liga-s. Në një rrëfim të gjatë për spanjollen Marca, 34-vjeçari prek nga pak të gjitha temat; Barcelonën, Botërorin, Messin si dhe për zëvendësuesin e tij te Bayern Munich, Maxim Choupo-Moting.

Botërori është vetëm pak ditë larg, një ndjesi ndryshe për ta zhvilluar në mesin e sezonit? “Është diçka e re për të gjithë, Botërori në mesin e sezonit është një sfidë. Unë personalisht ndihem gati. Është e vështirë edhe për klubet sepse nuk ka pasur shumë kohë në dispozicion që lojtarët të pushojnë, por lojtarët duhet të jenë gati dhe të performojnë në maksimum”.

Thuhet se futbolli i ka Messit “borxh” një Botëror, çfarë mendon për këtë? “Nëse shikon futbollin në 10-15 vitet e fundit ka qenë i dominuar nga Messi dhe Ronaldo. Të dy në fakt e meritojnë Kupën e Botës, janë legjenda. Por, në futboll nuk mund të parashikohet asgjë. Messi kërkon të fitojë Botërorin dhe e ëndërron atë, por në Kupën e Botës nuk i dihet asnjëherë”.

Messi, Ronaldo, De Bruyne, Neymar, Mbappe apo Lewandowski, cili do të jetë ylli i kompeticionit? “Roli im në fushë për Poloninë është i ndryshëm nga ai i Barcelonës. Më duhet të luaj për skuadrën dhe e rëndësishme është që ajo të fitoj në fund. Për mua do të ishte diçka e bukur të shpalesha si lojtari më i mirë i turneut sepse Polonia nuk sulmon shumë dhe nuk shënonn shumë gola, ndaj për një sulmues nuk është aspak e lehtë. Unë jam gati dhe do të bëj gjithçka për ekipin tim, nuk më interesojnë statistikat personale. Është e vësjtirë, por nëse skuadra të ndjek atëherë është më e lehtë të arrish diçka të rëndësishme”.

Çfarë futbolli do të shohim në Katar, fizik apo teknik? “Me siguri do të shohim një futboll fizik. Sepse duke qenë se jemi në mesin e sezonit, lojtarët janë në ritmin e duhur”.

Diferencat mes La Liga-s dhe Bundesliga-s? “Çdo ligë është e ndryshme. Në La Liga ka më shumë klube dhe më shumë ndeshje, por është pak e vështirë të përcaktosh diferencat. Ndoshta në Bundesliga skuadrat luajnë më shumë në mbrojtje dhe presin mundësinë e kundërsulmit. Mendoj se Bundesliga ishte edhe më shumë fizike, por krahasimi është i vështirë”.

Choupo-Moting si zëvendësues i Lewandowskit? “Nëse skuadra luan mirë, atëherë edhe për sulmuesin është më e lehtë. Unë e njoh atë dhe Choupo-Moting është një djalë i mirë, më vjen shumë mirë që po shënon. Shpresoj të vazhdoj kështu sepse sezoni është shumë i gjatë. I uroj fat”.

Çfarë të tha Xavi që të bindi për t’u transferuar te Barcelona? “Ishte një vendim i vështirë, por e dija se ishte koha e duhur për t’u larguar nga Bayern Munich. Kur nisa bisedimet me Barçën, e dija se në aspektin personal dhe atë sportiv do të ishte zgjedhja më e mirë për mua. Ishte një ëndërr për mua aktivizimi në La Liga”.

U transferove te Barça në një kohë që skuadra është në rindërtim e sipër, kur do të rikthehet ekipi si në kohët kur dominonte kudo? “Edhe pse kanë kaluar vetëm disa muaj, dallohet progresi te Barcelona. Mendoj se në fillimin e vitit tjetër, do të jemi edhe më mirë. Sezonin tjetër me siguri që do të ketë më shumë stabilitet. Në futboll edhe në një kohë të shkurtër mund të fitohen shumë trofe, por ne kemi pasur shumë dëmtime dhe humbëm pak qëndrueshmërinë. Në këtë sens nuk patëm fat. Pastaj duhet marrë në konsideratë që luajmë edhe më shumë lojtarë të rinj që i jan ëbashkuar vetëm në këtë sezon skuadrës, por tani po mësohemi dhe mund të bëjmë përpara”.

Top Channel