Kombëtarja shqiptare do të luajë mbrëmjen e së mërkurës një ndeshje miqësore luksi, atë me kampionen e evropës dhe 4 herë kampionen e botës, Italinë.

Është një përballje që përjetohet në mënyrë të veçantë nga trajneri i kuqezinjve Edoardo Reja që tregon sesi u mundësua zhvillimi i kësaj ndeshjeje.

Edoardo Reja-Trajner i Kombëtares: Sfida ndaj Italisë do të jetë shumë emocionuese për mua dhe Shqipërinë. Kënaqësi dhe krenari të përballem me Italinë time. Do të provoj emocione të mëdha dhe të bukura, do t’i këndoj dy himnet. I thashë presidentit: bëj maksimumin të luajmë ndaj tyre, pasi ata po kërkojnë miqësore pas eliminimit nga Kupa e Botës. Menjëherë biseduam dhe shkoi mirë, kështu që nuk ka më bukur’.

Trajneri Reja në listën e të grumbulluarve ka përfshirë edhe 3 futbollistë nga Kategoria Superiore, të cilët i pa edhe në dy miqësoret me Arabinë Saudite dhe Katarin.

Edoardo Reja-Trajner i Kombëtares:Ka edhe të tjerë lojtarë nga kampionati shqiptar që më kanë lënë përshtypje të mira. Mua më pëlqen të thërras gjithmonë 3-4 lojtarë nga kampionati vendas. Janë edhe 3-4 lojtarë të tjerë ndaj të cilëve kam krijuar ndjesi pozitive. Lojtarët e Superiores më treguan se gëzojnë një gjendje të mirë fizike, ata mund t’i përballojnë 90 minuta.

Kontrata e Rejas me Federatën shqiptare të futbollit skadon pikërisht këtë muaj dhe trajneri italian nuk e fshehu dëshirën e tij për të vijuar aventurën kuqezi

Edoardo Reja-Trajner i Kombëtares:Të luajmë këto dy ndeshje, më pas do të kemi kohë për të biseduar. Me presidentin Duka kam një raport miqësie dhe vlerësimi. Do të ulemi të bisedojmë, do të marrim vendimin më të mirë për Shqipërinë. Unë jam i gatshëm për të vazhduar si trajneri i Kombëtares.

Kombëtarja shqiptare përveç sfidës me Italinë që do të transmetohet në platformën Digitalb, do të luajë edhe një miqësore me Armeninë, në 19 nëntor.

Top Channel