Grevistët grekë për kostot e jetesës godasin me zjarr parlamentin në Athinë (fotot)

09/11/2022 17:20

Përleshje të shkurtra me policinë u regjistruan sot gjatë marshimit të mijëra grevistë në Athinë kundër rritjes së çmimeve dhe krizës së kostove të jetesës.

Punonjësit grekë të sindikatave kanë nisur një grevë 24-orëshe duke kërkuar rritje të pagave për të përballuar inflacionin në rritje, si dhe krizën e çmimeve të energjisë që po lëndon më të varfrit në Evropë.

Mijëra njerëz marshuan në Athinë në grevën e dytë 24-orëshe të këtij viti, me pankarta ku shkruhej: “Jo shkurtime të vendeve të punës, jo reduktime por rritje të pagave.”

Në përplasjet para parlamentit, disa protestues lëshuan shishe molotov ndaj ndërtesës dhe policia u kundërpërgjigj duke lëshuar gaz lotsjellës.

Greva greke është më e fundit në vendet e Evropës ku kostot e jetesës dhe të energjisë kanë shkaktuar protesta të gjera këtë muaj në Britani, Francë, Spanjë e Gjermani.

Ekonomia greke sivjet ka qenë në rimëkëmbje pozitive pas sezonit të suksesshëm të turizmit, prandaj grevistët janë të revoltuar pasi sërish gjenden në vështirësi ekonomike.

“Nuk i durojmë dot më këto kosto të larta, nuk mundim dot varfërinë”, tha pensionisti Giorgos Paliouras, që iu bashkua marshimit.

Sindikata greke GSEE e punonjësve të sektorit privat tha se protesta ishte “kundër inflacionit që po mbyt ekonominë e familjeve vendase, dhe kushtet e xhunglës në tregun e punës”, duke iu referuar avantazheve të punëdhënësve dhe mungesën e mbrojtjes së punonjësve nga qeveria.

Tragetet ishin sot të ndaluara në porte dhe transporti publik u pezullua në kryeqytet. Aeroportet iu bashkuan grevës për disa orë, me disa fluturime të anuluara.

FOTO GALERI
2/5
Mijëra njerëz marshuan në Athinë në grevën e dytë 24-orëshe të këtij viti, me pankarta ku shkruhej: “Jo shkurtime të vendeve të punës, jo reduktime por rritje të pagave.”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA