Veliaj: Kamza sot është një histori suksesi! Kush thotë se “nuk jam si ata të ardhurit”, fyen këdo që e ka kthyer këtë hapësirë në një nga zonat më dinamike

08/11/2022 15:26

Gjatë turit të ditës së sotme në Bashkinë e Kamzës, së bashku me Kryeministrin Edi Rama dhe kryetaren e Kuvendit Lindita Nikolla, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se Kamza sot është një histori suksesi e të gjithë atyre që kanë ardhur nga një qytet tjetër i vendit dhe kanë ndërtuar një jetë të denjë në këtë komunitet.

“E di që ka shumë diskutime sot sepse kur afrojnë muajt e fushatës fillon dhe helmohet situata. Një nga mënyrat për të treguar se po kandidojnë [kandidatët e PD] është duke thënë se unë nuk jam i ardhur, jam vendali. Është shumë e trishtë që e bëjmë ende këtë debat. Kjo që shohim këtu, pallate, kopësht, shkollë, rrugë, nuk ishte këtu më përpara. U bë nga njerëz që kanë ardhur. Kamza është histori e suksesit të atyre që erdhën nga hiçi për ta kthyer Kamzën në një nga qytetet që, po të bëj një renditje të qyteteve, do të ishte një nga qytetet e dyta të Shqipërisë. Ndaj, kujtdo që sot në vitin 2022 thotë që unë nuk jam si ata të ardhurit, fyen ata që e kanë kthyer këtë hapësirë në një nga zonat më dinamike, si histori suksesi,” u shpreh Veliaj.

“Për të gjithë ata që thonë se ka ende shumë për të bërë, të gjithë jemi dakord, nuk ndahemi të majtë dhe të djathtë, të gjithë themi se ka shumë për të bërë, kur e kemi filluar me logjikën e një familjeje të madhe që në fillim rregullon fëmijët dhe pastaj pjesën tjetër unë besoj se jemi në rrugë të mbarë,” shtoi ai.

Ky është një moment i vështirë për shkak të luftës dhe pasojave të saj theksoi Veliaj.

“Siç ishte tërmeti, pandemia, edhe ky është një moment i vështirë, me këtë inflacion të mallkuar të një lufte që ndodh diku larg, por që sjell pasojat këtu dhe unë besoj se nëse mësuam një gjë nga tërmeti e pandemia, është që nuk është e rëndësishme sa shpejt rrëzohemi, se atë nuk e kemi në dorë. E rëndësishme është sa fort dhe sa shpejt ngrihemi. Kur shoh sa shpejt, fort dhe bashkë, e me dashuri jemi ngritur këtu në Kamzë, është vërtet një bekim i madh,” e mbylli Veliaj fjalën e tij.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA