Censi i Bujqësisë shtyhet sërish, numërimi i fermave dhe gjësë së gjallë në vjeshtën e 2027

15/09/2026 20:22

Censi i bujqësisë nuk do të realizohet më në vitin 2026, numërimi i të mbjellave dhe gjësë së gjallë do të behet në vjeshtën e 2027, ose 15 vite më pas nga CENSI i fundit.

Vonesat për hartimin e projektligjit për Cens-in e bujqësisë bën që ai të miratohej ne seancën e fundit plenare që u zhvillua në muajin Korrik. Por kalimi i ligjit nuk mjafton që INSTAT të nisë regjistrimin e bujqësisë dhe blegtorisë, pasi më parë duhet që qeveria të ekzekutojë buxhetin për zbatimin për projektin e CENS-it, që kap vlerën e 11.7 milion eurove.

Mbledhja e të dhënave për bujqësinë parashikohet të zgjasë 4 javë, ku do të jenë 3,400 anketues në terren që do të marrin përsipër punën për të regjistruar sipërfaqen e fermave, makineritë e deri tek individët e të punësuarit në këtë sektor. Në mbështetje të këtij CENSI do të jenë edhe përfaqësuesit e Ministrisë së Bujqësisë, gjithashtu në rast refuzimi është parashikuar që ndaj bujkut shqiptarë të merren masa administrative me gjobë nga 30-100 mijë lekë të reja. Regjistri i parë i këtij sektori është bërë në vitin 1998 në formën e një ankete mbi strukturën e ekonomive bujqësore. Më pas, në vitin 2012 është realizuar Censi i parë i Bujqësisë. Një tentativë u krye në vitin 2018, por mbledhja e të dhënave u realizua në formën e një ankete strukturore të bujqësisë.

Censi i dytë i bujqësisë ishte parashikuar për t’u zhvilluar në vitin 2022, por ky proces u shty për në 2024-ën, por as ky objektiv nuk u arrit, ndërsa sot afati I ri është viti 2027 me justifikimin që mungojnë paratë që shteti shqiptarë ka parashikuar numërimin e këtij sektori.

Top Channel