Një 50-vjeçar është arrestuar këtë të martë për shitje të lëndëve narkotike dhe dhunë psikologjike ndaj gruas.
Në shtëpinë e shtetasit me iniciale B.A. në Halil të Krujës janë gjetur 2.5 kilogramë kanabis.
50-vjeçari do të hetohet për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Dhuna në familje”.
Njoftimi i policisë:
Operacioni u zhvillua nga Policia e Krujës, bazuar në inteligjencën informative për një shtetas që posedonte lëndë narkotike dhe ushtronte dhunë psikologjike ndaj bashkëshortes.
Arrestohet në flagrancë 50-vjeçari. Gjatë kontrollit në banesën e tij, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 2.4 kg lëndë narkotike kanabis.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, bazuar në inteligjencën informative, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Double”, në kuadër të të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi:
-B. A., 50 vjeç, banues në Halil, Krujë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Dhuna në familje”.
Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e 50-vjeçarit, kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, 2.4 kg lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme.
Top Channel