Primaret në PD/ Avokatja Adriana Kalaja prezanton kandidaturën për primare për Tiranën

04/11/2022 11:06

Avokatja Adriana Kalaja ka shpallur kandidaturën për primare për Bashkinë e Tiranës.

Deklaratën për shtyp, Kalaja e nisi duke treguar origjinën e saj:

“Nuk besoj të ketë ndonjë qytetar të Tiranës dhe të rrethinave, që të mos ketë provuar ‘Kafen e Rremës’, të babait tim të ndjerë dhe të mos ketë shijuar gatimet nga duart e arta të nënës time”.

Duke kritikuar kryebashkiakun Erion Veliaj për transformimin negativ të qytetit, ajo tha se “sot, më shumë se kurrë, duhet një alternative serioze për shpëtimin e Tiranës, për ta pastruar atë nga çibani Erion Veliaj dhe gjithë çibanët e betonit shumëkatësh, që kanë mbirë me firmën e tij nëpër Tiranë”.

“Ndaj sot unë jam përpara jush për t’ju dhënë një alternativë jo vetëm fituese ndaj Erion Veliajt, por edhe një alternativë shpëtimi për Tiranën tonë. Unë dhe gjithë Qëndrestarët e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit e kemi dëshmuar këtë, duke u bërë pengesë serioze për fillimin e punimeve të ndërtimit të teatrit të ri korruptiv dhe duke kontribuar në fitoren e arritur në Gjykatën Kushtetuese lidhur me çështjen e Teatrit Kombëtar”.

Kalaja premtoi se do të pranojë çdo rezultat që do të dalë pas votimit nga anëtarësia dhe simpatizantët. “Do jem në krah të kandidatit fitues, për të arritur fitoren ndaj së keqes së madhe të Tiranës me emrin Erion Veliaj”, tha demokratja.

Në garën e primareve për Bashkinë e Tiranës, kanë shpallur kandidaturën dhe mjeku Ilir Alimehmeti, Belind Këlliçi dhe Gert Bogdani.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA