Izrael: Zgjedhjet, referendum mbi mundësinë e rikthimit të ish kryeministrit Netanyahu

01/11/2022 20:51

Izraelitët votojnë sot, në zgjedhjet e pesta brenda 4 viteve dhe procesi duket si një referendum mbi mundësinë e rikthimit në pushtet të ish kryeministrit Benjamin Netanyahu.

Zoti Netanyahu, tanimë udhëheqës i opozitës votoi së bashku me bashkëshorten. Ai shpreson të kthehet në pushtet në një kohë që po gjykohet për akuzat për korrupsion.

Kryeministri në detyrë Yair Lapid dhe bashkëshortja e tij votuan në Tel Aviv. Zoti Lapid mori detyrën në muajin qershor pas shpërbërjes së koalicionit qeverisës.

Një aktor i ri në garë mund të trondisë rezultatin e zgjedhjeve. Ai është Itama Ben Gvir, një politikan i ekstremit të djathtë, i cili sipas sondazheve të fundit po merr mbështetje shumë të lartë.

Në një sistem politik të përçarë, as zoti Netanyahu dhe as zoti Lapid nuk pritet të sigurojë shumicën në parlamentin prej 120 deputetësh, Kjo do të thotë se ata duhet të gjejnë aleatë për të siguruar 61 votat e nevojshme për të qeverisur. Sondazhet tregojnë se gara është shumë e ngushtë dhe është e pamundur të parashikohet kush do t’i fitojë zgjedhjet./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA