Asllani zyrtarisht interist në shkurt, Inzaghi: Ai po rritet, por…

30/10/2022 10:53

Interi po kalon një moment shumë të mirë. Ndaj Sampdorias (3-0) erdhi fitorja e katërt radhazi në Serie A, ndërkohë që në mesjavë u arrit edhe kualifikimi mes 16 ekipeve më të mira në Champions League.

Simone Inzaghi komentoi edhe situatën në mesfushë. Marcelo Brozovic vijon të jetë i dëmtuar, Kristjan Asllani ka përfituar pak minuta (206) si zëvendësues i kroatit, pozicion në të cilin trajneri ka spostuar turkun Hakan Calhanoglu.

“Ishim në një moment delikat pas dëmtimit të Brozovic. Asllani po rritet, por fanella e Interit është e rëndë, kështu që mendova të zgjedh Calhanoglu, pasi kishte karakteristikat për të luajtur në atë rol, të cilin po e bën mirë”, deklaroi Inzaghi.

Ndërkohë, drejtuesit e Interit do të blejnë kartonin e mesfushorit shqiptar në muajin shkurt, siç doli nga raporti i buxhetit i miratuar në mbledhjen e djeshme të aksionarëve. 4 milionë euro paguan zikaltrit për huazimin e tij nga Empoli në verë.

Sipas akordit të arritur mes drejtuesve të Interit dhe klubit toskan, 20-vjeçari do kthehet në një lojtar zikaltër sapo skuadra e Inzaghit të marrë pikën e parë në kampionat pas 2 shkurtit të vitit 2023.

Operacioni do i kushtojë nënkampionëve të Italisë edhe 10 milionë euro + 2 të tjera në formë bonusesh, me lojtarin e Kombëtares shqiptare që do vijojë të jetë pjesë e skuadrës së zemrës.

Top Channel