Duke udhëtuar gjithë natën nga Polonia ministri i Jashtëm grek Nikos Dendias ka mbërritur në Kiev, në vizitën e tij të tretë në Ukrainë, ndërsa dy herët e para ka qenë vetëm në Odesa.
I pritur nga homologu i tij Kuleba ai ka vendosur një tufë me lule tek pallati në kryeqytetin ukrainas ku para disa ditësh janë vrarë nga bombardimet ruse pesë civilë.
Por vizita e kryediplomatit grek është ndërprerë nga sirenat për sulm ajror nga forcat ruse dhe dy ministrat kanë vazhduar takimin në një strehim të nëndheshëm aty ku kanë dhënë edhe konferencën për shtyp gjatë së cilës Dendias ka quajtur sulmet ndaj Kievit, krime lufte.
“Ky qytet i madh, si dhe pjesa tjetër e vendit, është çdo ditë nën sulme të egra, që sollën vdekjen dhe plagosjen e dhjetëra njerëzve të pafajshëm të paarmatosur. Greqia i dënon këto sulme në termat më të ashpër të mundshëm” – tha Nikos Dendias.
Nga ana e tij Kuleba shprehu mirënjohjen për palën greke për ndihmën ushtarake që ka ofruar.
“Ne vlerësojmë veçanërisht armët që Greqia po i sjell Ukrainës në mënyrë që të mund të mbrojmë tokën tonë. Është shumë e rëndësishme që dërgesa e shumëpritur e mjeteve të blinduara të këmbësorisë BMP-1 nga Greqia në Ukrainë ka filluar tashmë.Së shpejti do të mbërrijnë në ushtrinë tonë dhe do të forcojnë menjëherë kapacitetin luftarak dhe aftësitë mbrojtëse të vendit tonë”- tha Nikos Dendias.
Në vazhdim Nikos Dendias ka takuar edhe presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky të cilit i ka shprehur edhe një herë mbështetjen e fortë të Greqisë për integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës duke dënuar çdo përpjekje për ndryshimin e kufijve.
Top Channel