Para fillimit të luftës në Ukrainë, Denys Minin punonte si prezantues në një nga kanalet televizive të Ukrainës. Tani ai angazhohet vullnetarisht që të ndihmojë banorët të evakuohen nga territoret ukrainse që janë pushuar nga Rusia.
Banorët lokalë e quajnë rrugën 57 kilometërshe që lidh qytetin Vasilivka me qytetin Zaporizhia, “rruga e jetës”.
Ajo të çon nga territoret ukrainase të pushtuara nga Rusia, në qytetin e lirë të Zaporizhias. Por kjo rrugë kontrollohet nga forcat ruse.
“Pushtuesit vendosën të detyrojnë të gjithë banorët në territoret e pushtuara të kalojnë nëpër Vasilivka. Ata kërkojnë ryshfet. Ndonjëherë nuk lejojnë kalimin e makinave për dy ose tre ditë”, thotë Denys Minin, një vullnetar ukrainas, që para luftës ishte prezantues televizioni.
Ai ka krijuar një rrjet vullnetar shoferësh, që ndihmojnë njerëzit të largohen nga qytetet e pushtuara, si Mariupoli dhe Berdynasku.
Zoti Minin është nga kjo zonë dhe familja e tij vazhdon të jetojë atje.
“Po lutesha të dëgjoja sërish zërat e prindërve të mi. Nuk kisha asnjë lidhje me ta, ashtu si edhe gjithë të tjerët në Mariupol. Kam krijuar një grup në rrjetin Telegram. E quajta ‘nga Mariupoli në Zaporizhia’. Gjeta vullnetarë dhe bashkëpunova me ushtrinë. Çdo mëngjes makina nga e gjithë Ukrainë vinin në Mariupol”, thotë zoti Minin.
Pasi Rusia shpalli mobilizimin e pjesshëm të popullsisë, interesimi i njerëzve për rrjetin e zotit Minin u shtua. Banorët në territoret e pushtuara nisën ta kontaktojnë atë, duke kërkuar ndihmë.
“Zakonisht njerëzit më kontaktojnë në Instagram. Ata mund të kërkojnë ndihmë duke treguar emrin, adresën e shtëpisë në Mariupol dhe numrin e telefonit. Telefoni im është gjithmonë i ndezur. Tani jam mësuar, kjo është jeta ime në ditët e sotme”, thotë ai.
Zoti Minin shprehet mirënjohës për ekipin e tij.
“Çdo shofer ka një histori të veçantë. Njeri thotë se e bën këtë punë për të shlyer mëkatet. Ai shiste drogë në Zaporizhia, ndërsa tani, që nga marsi, po ndihmon njerëzit, duke i larguar nga Mariupoli”, thotë ai.
Në mes të prillit, zoti Minin ra në kontakt me prindërit e tij, por ata vendosën të mos largohen nga vendi.
Që nga ajo kohë, prezantuesi i televizionit dhe ekipi i tij kanë ndihmuar mbi 5 mijë njerëz të largohen nga qytetet e pushtuara të Mariupolit dhe Berdynaskut. Megjithëse beson se aktiviteti i tij do të vështirësohet, ai nuk ka plane të ndalojë së ndihmuari ata që kanë nevojë për të./VOA
Top Channel