Ish-kryeministri, Sali Berisha, gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të PD-së shprehu mbështetje të plotë ndaj pedagogëve.
Ai theksoi se PD do qëndrojë në mbështetje të të drejtave të sindikatave të punonjësve të universiteteve.
“Dua të shpreh mbështetjen e plotë dhe totale të PD për pedagogët, studentët dhe punonjësit e universiteteve që janë në protestë. I garantoj se PD qëndron para çdo kërkese që ata sot i drejtojnë një qeverie arrogante, mashtruese dhe hajdute. Rama u është përgjigjur me një qëndrim cinik, urrejtës dhe përçmues sindikatave të arsimit të lartë edhe kërkesave të tyre. Edi Rama ka hartuar një vendim me të cilin ai shpreh pikërisht arrogancën, cinizmin dhe përçmimin ndaj universiteteve si dhe kërkon që të përçajë trupën akademike nga kolektivi studentor. Ai parashikon një rritje buxhetore, dje kishte 10, sot e bëri 7 që ta çojë nesër 10. Ajo që është më e rëndë është se premton, 30% rritje rroge nga tarifat e studentëve, u thotë familjeve të tyre paguajeni tani për pedagogët. Ato janë thjesht iluzion se komisarët e universiteteve kanë zhdukur lirinë akademike. I bëj thirrje çdo pedagogu, çdo student dhe familjari të mos përkulen para këtij qëndrimi arrogant, të një njeri që defacto po çon universitetet drejt shkatërrimit. U bëj thirrje qytetarëve që të mbështesin këtë. Duke përgëzuar sindikatën e punonjësve të universiteteve, ata që morën pjesë në këtë protestë masive, u bëj thirrje të vazhdojë këtë betejë dhe se PD do qëndrojë në mbështetje të të drejtave të sindikatave të punonjësve të universiteteve”, tha Berisha.
Pedagogët dolën këtë të mërkurë në protestë, pasi kërkojnë rritje page.
Top Channel