Inside Story/ Diploma pa vlerë! Universitetet shpenzuan 103 milionë euro por… ja shifra qesharake për kërkimin shkencor
Ne kemi hulumtuar mbi tenderat pikërisht gjatë dy javëve të fundit që përkojnë me periudhën e protestave. Edhe pse studentët janë sot në rrugë, disa shpenzime tërheqin mjaft vëmendje dhe duken të fryra, në mos të pakuptimta.
Universiteti i Tiranës, shpenzon plot 34 milionë lekë të reja për mirëmbajtje ndërtese dhe ambienti rrethues. Për të mos mjaftuar këto, duhej një tjetër tender me vlerë 4.4 milionë lekë të reja, për mirëmbajtje orendish dhe zyrash. Edhe Universiteti i Elbasanit, aty ku pak kohë më parë u arrestuan pedagogë për korrupsion, ka shpenzuar një fond prej 26 milionë lekësh ose rreth 280 mijë euro për mirëmbajtje.
Universiteti i Shkodrës ka shpenzuar afro 10 milionë lekë të reja vetëm për rikonstruksionin e çatisë. Në një tjetër tender, bie në sy shuma prej 4.5 milionë lekë të reja për blerje automjeti, pra, një mjet luksi në një kohë krizash. Ky universitet shpenzon 4.2 milionë për pajisje inventari ekonomik që nuk dihet çfarë funksioni kryen dhe 2 milionë të tjera për veshje apo vegla pune… Edhe Universiteti Politeknik ka tenderuar 4 milionë lekë për blerje veture.
Ndërkohë, Universiteti Bujqësor shpenzon afro 5 milionë lekë për përmirësimin e rrjetit të internetit. Universiteti i Vlorës, ka shpenzuar plot 6 milionë lekë të reja për lyerjen e ambienteve.
Edhe blerjet për kancelaritë vijojnë të vjelin miliona ku në tenederat e fundit, kampion shfaqet Universiteti Politeknik me plot 7.3 milionë lekë për bojë dhe letra printimi.
Pas kritikave të lakuara së fundi, bie në sy fakti se universitetet kanë zhvilluar edhe disa tendera për laboratorë, pajisje laboratorike, pajisje kompjuterike etj. Por, në raport me luksin që zbuluam dhe tenderat që s’kanë lidhje me akademinë, duket se ato zënë një pjesë më të vogël.
Top Channel