Kina “fshin” të korruptuarit, Xi me dorë të hekurt, rekord përjashtimesh nga partia

29/10/2026 18:47

Partia Komuniste e Kinës ka përjashtuar nga radhët e saj një numër rekord prej 33 anëtarësh në përfundim të një takimi të rëndësishëm politik, gjatë të cilit u nënvizua nevoja për forcimin e disiplinës partiake dhe luftës kundër korrupsionit.

Takimi u mbajt në kohën kur presidenti Xi Jinping po intensifikon përpjekjet për të konsoliduar kontrollin mbi partinë dhe ushtrinë. 16 nga zyrtarët e përjashtuar vijnë nga radhët e ushtrisë; ata akuzohen për shkelje të rënda disiplinore dhe ligjore, ndërsa nuk bëhen të ditura hollësi të mëtejshme mbi akuzat konkrete.

Plenumi i pestë u zhvillua në Pekin me pjesëmarrjen e 279 anëtarëve të Komitetit Qendror, një shifër dukshëm më e ulët se në mbledhjet e mëparshme.

Ky është rasti i parë gjatë 14 viteve të udhëheqjes së Xi Jinping që numri i pjesëmarrësve bie nën 300. Mes figurave të rëndësishme të përjashtuara janë ish-udhëheqësi i Partisë në Xinjiang, Ma Xingrui, si dhe gjeneralët e lartë Zhang Youxia dhe Liu Zhenli.

Gjithashtu, në listën e zyrtarëve të larguar përfshihet diplomati i njohur Liu Jianchao, i cili ishte zhdukur nga jeta publike që prej korrikut të vitit të kaluar. Pastrimi i strukturave të larta ushtarake ka ngritur pikëpyetje të mëdha mbi drejtimin e ushtrisë kineze dhe gatishmërinë e saj luftarake.

Komisioni Qendror Ushtarak, institucioni që kontrollon forcat e armatosura, ka mbetur me vetëm dy anëtarë: Xi Jinping, në krye të tij, dhe Zhang Shengmin, në postin e nënkryetarit.

Xi Jinping e ka vendosur luftën kundër korrupsionit në qendër të qeverisjes së tij që prej vitit 2012. Megjithatë, analistët vlerësojnë se fushata po shërben gjithnjë e më shumë edhe për të garantuar besnikërinë politike dhe për të larguar zyrtarët që konsiderohen të pabindur ndaj udhëheqjes.

 

Top Channel