Bie rrjeti i sigurisë kombëtare në SHBA/ Pas avionëve dhe bankave, në kolaps edhe sistemi ku transferohen të dhënat sekrete

17/11/2026 19:45

Pas ndërprerjes totale të fluturimeve dhe “black out”-it me bankat më të mëdha, Shtetet e Bashkuara të Amerikës po përballen me një situatë akoma më alarmante.

Rrjeti shumë i klasifikuar, që Agjencia e Sigurisë Kombëtare (NSA) përdor për komunikimet e saj të brendshme, ka dalë jashtë funksionit, sipas gjashtë personave të njohur me këtë çështje, raporton CNN.

Rrjeti, i quajtur NSA Net, u mundëson punonjësve të komunikojnë informacione të klasifikuara brenda agjencisë. Deri në këtë moment nuk ka asnjë provë për një sulm kibernetik, thanë burimet.

Ndërsa agjencia po punon për të kuptuar përmasat e problemit, ajo ka vendosur orare të shkallëzuara (të graduara) për paraqitjen e personelit në punë, shtuan burimet.

Një zyrtar aktual dhe një ish-zyrtar amerikan thanë se një ndërprerje e NSA Net nuk do të ndikonte në aftësinë e agjencisë për t’i komunikuar informacione urgjente të inteligjencës Presidentit Donald Trump, ndërsa ai po udhëton në Azi me avionin “Air Force One”.

Të dyja burimet përshkruan sisteme të shumta rezervë dhe rrjete alternative që qeveria mund t’i përdorë për të komunikuar në mënyrë të sigurt me presidentin, i cili ndodhet aktualisht në Filipine përpara se të niset drejt Kinës për bisedime me liderin kinez, Xi Jinping, dhe Presidentin rus, Vladimir Putin.

Ndërprerja në agjencinë më të fuqishme të inteligjencës në Amerikë vjen menjëherë pas disa defekteve të tjera të mëdha teknologjike që kanë prekur linjat ajrore dhe korporata të tjera në mbarë vendin.

Më 12 nëntor një ndërprerje e shërbimeve të Microsoft 365 bllokoi gati 24 orë platforma si Outlook dhe Temas. Mes 13 dhe 14 nëntorit, të gjitha fluturimet në rang kombëtar u ndaluan për orë të tëra, pas problemeve teknike në sistemin e kontrollit të trafikut ajror.

Ndërkohë, një ditë më parë bënat më të mëdha në Shtetet e Bashkuara, si JPMorgan Chase dhe Bank of America, raportuan defekte të përkohshme në sistemet e tyre, duke sjellë ndërprerje të shërbimeve edhe në bankat e tjera.

Nuk ka asnjë indikacion se ndërprerjet e NSA-së, trafikut ajror apo Microsoft-it janë shkaktuar nga një sulm kibernetik. Por ato janë shembuj të qartë se si dështimet teknologjike mund të tronditin tregjet dhe potencialisht të kërcënojnë sigurinë kombëtare.

 

Top Channel