Një ish-mësues zëvendësues i akuzuar për përdhunim, është gjetur dje i vdekur në qelinë e tij në burgun e St. Louis, në Missouri, SHBA.
Tridhjetë-vjeçari Brandon Holbrook ishte vetëm në izolim, kur oficerët e gjetën thuajse të vdekur, tha zëdhënësi Doug Moore për rrjetin St. Louis Post-Dispatch.
Ai u shpall më vonë i vdekur në spital dhe shkaku është aktualisht duke u hetuar pasi nuk është përcaktuar nëse është vetëvrasje apo përdorim substancash.
I dënuari ishte akuzuar për përdhunimin e një ish-nxënëseje të tij 14 vjeçare në shkollën e mesme Bernard Middle School, dhe më pas me gjashtë akuza të tjera të ngjashme.
Policia thoshte asokohe se Holbrook e kishte njohur vajzën në shkollë dhe e kishte joshur në rrjetet sociale, derisa kishte shkuar tre herë në shtëpinë e saj për ta përdhunuar.
Rrjeti amerikan i aktivistëve kundër dhunës seksuale ndaj të miturve “Rape, Abuse, and Incest National Network (RAINN)” përkufizon joshjen si “sjellje manipulative ku abuzuesi fiton fillimisht besimin e viktimës dhe më pas e detyron në abuzim, duke reduktuar kështu rrezikun e zbulimit.”
Veprimi abuzues mund të zhvillohet “online ose personalisht, zakonisht mes viktimës dhe një personi të njohur, të afërm ose që zotëron besim, si për shembull mësuesit ose drejtuesit e grupeve të të rinjve”.
Në lidhje me sigurinë e fëmijëve online, “ata dhe prindërit e tyre inkurajohen të qëndrojnë vigjilentë, sepse njerëzit shpesh nuk janë ata që duken”, shkruan departamenti amerikan i drejtësisë.
Pas dënimit të Holbrook dy viktima të tjera abuzimi bënë denoncimin e tyre.
Top Channel