Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian Viola von Cramon nënshkrimin e marrëveshjes për bashkëpunim Serbi-Rusi e ka quajtur një skandal të rëndë nga ana e Beogradit zyrtar në kohën e agresionit të pajustifikuar ushtarak të Vladimir Putin në Ukrainë.
Në një postim në Twitter, ajo ka thënë se tash është koha që të ngrihen bisedimet për aderimin e Serbisë në Bashkimin Evropian.
“Ky është një skandal i rëndë. Në mes të luftës së furishme, Ministria e Jashtme e Serbisë nënshkruan planin për bashkëpunimin e ardhshëm me agresorin Rusinë. Ose ndoshta është thjesht një sinjal për ne që të ngrijmë bisedimet e anëtarësimit në BE pasi hyrja në BE nuk kalon përmes Moskës”, ka shkruar von Cramon.
Ministri i Jashtëm serb Nikola Selakoviq dhe homologu i tij rus Sergej Lavrov kanë nënshkruar dje në Nju Jork, një marrëveshje sa i përket politikës së jashtme të përbashkët Moskë-Beograd, përgjatë takimeve që po mbahen në Kombet e Bashkuara në Nju Jork.
Marrëveshja në mes të dy palëve quhet “Plani i konsultimeve ndërmjet MPJ-së së Serbisë dhe MPJ-së së Rusisë për 2023-2024”.
Top Channel