Së fundmi është publikuar traileri i parë për filmin biografik të këngëtares së ndjerë legjendare Whitney Houston.

“I Wanna Dance with Somebody” tregon aktoren Naomi Ackie duke portretizuar këngëtaren e ndjerë. Traileri nis me momentin kur Clive Davis nga Arista Records e zbuloi atë duke kënduar në një klub nate në moshën 19-vjeçare. Klipi tregon gjithashtu rrymat e errëta me të cilat u përball Whitney gjatë gjithë karrierës së saj, si përballja me kritikat se muzika e saj nuk ishte “mjaft e zezë”.

“I Wanna Dance with Somebody” është drejtuar nga Stella Meghie dhe skenari i Anthony McCarten, i cili shkroi filmin biografik të Queen-s, fitues i Oscarit, “Bohemian Rhapsody”. Filmi vjen në kinema më 21 dhjetor. “Zëri më i madh i kohës sonë ka një histori edhe më të madhe”, thuhet në përmbledhjen zyrtare të filmit. Top Albania Radio shkruan se diva e muzikës botërore ndërroi jetë 10-vite më parë, në moshën 48-vjeçare. U njoftua se vitin që lamë pas rezultateve të autopsisë u erdhi fundi. Por mesa duket hetimi u rihap përsëri për të zbardhur shkakun e vërtetë të vdekjes.

Ndërkaq, një libër i ri për legjendën e muzikës ‘soul-pop’ Whitney Houston, zbulon karakterin e çiltër e frymëzues të këngëtares afro-amerikane, por dhe dilemat e saj që binin ndesh me normat shoqërore me të cilat ishte rritur. Autori Gerrick Kennedy shkruan në librin e tij “Didn’t We Almost Have It All: In Defense of Whitney Houston” se mes shumë dilemash të edukimit fetar që kishte marrë që e vogël, Whitney kishte fshehur shumë aspekte të karakterit, madje dhe seksualitetin e saj.

E rritur në New York, Whitney ka qenë nën kujdestarinë e nënës së saj Cissy dhe është trajtuar e edukuar si kristiane e devotshme e anëtare e korit të kishës. Kushërira e Whitney, këngëtarja e njohur e rrymës R&B, Dionne Warwick, nisi ta inkurajonte talentin e Whitney, te e cili familja shihte një mundësi për t’i shpëtuar varfërisë.

Top Channel