Dëmtimet e shtyllës kurrizore/ Shtohen rastet e aksidenteve të rënda, dr. Fatos Olldashi: 40 pacientë pësojnë paralizë totale

01/11/2026 13:11

Traumat nga aksidentet rrugore, deformimet, tumoret dhe sëmundjet degjenerative janë ndër patologjitë më të shpeshta të shtyllës kurrizore. Profesor Fatos Olldashi, shef i Shërbimit të Neurokirurgjisë në Spitalin Universitar të Traumës, paralajmëron se mosrespektimi i rregullave të qarkullimit rrugor dhe sigurisë në punë mbetet një nga shkaqet kryesore të dëmtimeve të rënda.

Aksidentet e shumta rrugore vijojnë të shkaktojnë dëmtime serioze të shtyllës kurrizore, të cilat në disa raste përfundojnë me paralizë ose invaliditet të përhershëm.

Profesor Fatos Olldashi, shef i Shërbimit të Neurokirurgjisë pranë Spitalit Universitar të Traumës, shpjegon se ndër patologjitë më të shpeshta me të cilat paraqiten pacientët janë traumat, deformimet e shtyllës kurrizore, tumoret dhe sëmundjet degjenerative, që lidhen me moshën dhe problemet reumatizmale, si osteoporoza.

Sipas tij, një numër i konsiderueshëm i traumave shkaktohen nga mosrespektimi i rregullave të qarkullimit rrugor dhe atyre të sigurisë në punë.

“Ne kemi rreth 40 raste të pacientëve që pësojnë paraliza totale. Ndërhyrja e hershme kirurgjikale bën të mundur uljen e shkallës së invaliditetit”, shprehet profesor Olldashi.

Teknologjia e re rrit suksesin e ndërhyrjeve kirurgjikale

Numri i ndërhyrjeve kirurgjikale në shtyllën kurrizore është rritur ndjeshëm, ndërsa zhvillimi i teknologjisë ka përmirësuar mundësitë për trajtimin edhe të rasteve më të komplikuara.

Olldashi thekson se në Spitalin e Traumës përdoren pajisje moderne, si sistemi imazherik O-arm, neuronavigimi, monitorimi gjatë operacionit, mikroskopi dhe teknologjia e endoskopisë spinale.

“Do të përmendja praninë e sistemit imazherik O-arm dhe të neuronavigimit, pra një skaner që ndodhet brenda sallës së operacionit dhe na orienton gjatë kryerjes së ndërhyrjeve kirurgjikale. Gjithashtu, kemi sistemin e monitorimit dhe, natyrisht, mikroskopin. E rëndësishme është edhe teknologjia e re e endoskopisë spinale”, shprehet ai.

Profesori vlerëson gjithashtu mbështetjen financiare për materialet e nevojshme kirurgjikale, të cilat kanë kosto të lartë për pacientët.

Sipas tij, prej 10 vitesh shteti mbulon përmes rimbursimit kërkesat për këto materiale, duke lehtësuar trajtimin e pacientëve me probleme të shtyllës kurrizore.

Paralajmërimi për qëndrimin e gjatë ulur dhe përdorimin e telefonit

Një tjetër shqetësim lidhet me mungesën e aktivitetit fizik dhe qëndrimin për orë të gjata në pozicione të papërshtatshme.

Profesor Olldashi këshillon kujdes jo vetëm për personat që kanë një jetë sedentare, por edhe për fëmijët dhe të rinjtë që kalojnë shumë kohë duke përdorur telefonin celular, pasi këto zakone mund të ndikojnë negativisht në shëndetin e shtyllës kurrizore.

Ndërkohë, për herë të parë në Shqipëri u organizua Kongresi Ndërkombëtar i Neurokirurgjisë, ku morën pjesë profesorë dhe specialistë vendas e të huaj.

Gjatë këtij aktiviteti u shkëmbyen përvoja profesionale, njohuri mbi trajtimet bashkëkohore dhe zhvillimet më të fundit teknologjike në fushën e neurokirurgjisë, duke krijuar mundësi të reja bashkëpunimi ndërkombëtar për specialistët shqiptarë.

Top Channel