Në minutën e 30 të pjesës së dytë të ndeshjes Erzeni-Laçi në stadiumin “Niko Dovana” në Durrës ka pasur shkëputje të energjisë elektrike.
Nuk ka pasur energji elektrike për gati 5 minuta, ndërsa nuk dihet ende arsyeja.
Erezni fitoi me Laçin “in extremis” dhe merr kryesimin e Superiores me 11 pikë, dy pikë më shumë se Partizanit. Goli i Amir me penallti në minutën e fundit shtesë u dha tri pikë shijakasve, që vazhdojnë të befasojnë në këtë fillim sezoni.
Për të pestën ndeshje radhazi, Erzeni nuk pëson gol, duke qenë një skuadër e rekordeve në këtë edicion në Abissnet Superiore. Pa u mbushur çerek ore lojë, Laçi pretendoi për një 11-metërsh, megjithatë gjyqtari kryesor nuk e konsideroi faull kontaktin e Xhikës me Adeleken. Vetëm pak minuta më vonë shijakasit kishin pretendime pas një kontakti mes Turkajt dhe Ademit.
Brenda pak sekondash, Spahiu, në anën tjetër, arrin të gjejë rrjetën, por pas ndërhyrjes së VAR-it, gjyqtari Meta anuloi golin. Situata me rastet e diskutueshme vijoi dhe pak pasi ishte mbushur gjysmë ore lojë, Alan dhe Dajsinani patën një përplasje mes tyre, por arbitri e konsideroi simulim të futbollistit të Erzenit.
Pjesa e dytë ishte mjaft e luftuar me të dyja ekipet që bënë gjithçka për të marrë maksimumin e pikëve, me Erzenin disi më dominues në minutat e fundit.
15 minuta para fundit të ndeshjes, sistemi elektrik pësoi defekt, duke sjellë ndërprerjen e ndeshjes për disa minuta, për të vijuar më pas me lojën që pati emocione deri në sekondat e fundit. Një penallti e fituar nga Nonato u shndërrua në gol nga Amir, që çoi në ekstazë tifozërinë e zjarrtë shijakase.
Një fitore me meritë e Erzenit, që mbetet skuadra e vetme e pamposhtur në këtë sezon futbollistik. Nga ana tjetër, Laçi mbetet në krizë thellë, pasi ka marrë pas pesë javësh vetëm 3 pikë.
Top Channel