Dhuna ka pushtuar Bagdadin, duke ngjallur frikën e rrezikut të shpërthimit të një lufte civile në Irak.
Përplasjet mes liderit Muqtada al-Sadr, fitues i zgjedhjeve të fundit, dhe partive të armatosura filo-iraniane të mposhtura në votime por prej vitesh pjesë e sistemit hegjemonik irakian, tashmë po bëjnë të derdhet gjak nëpër rrugë. 15 persona janë vrarë orët e fundit e qindra të tjerë janë plagosur me armë zjarri.
Situata është kaotike. Disa burime akuzojnë për këtë spirale dhune anëtarët e miliceve xhihaiste Shiite pro-iraniane, të tjerë e drejtojnë gishtin e fajit nga forcat qeveritare të sigurisë.
Incidentet nisën pasi mbështetësit e Al Saderit mësynë pallatin presidencial dhe ndertesen e qeverise kur kleriku njoftoi tërheqjen e tij nga jeta politike.
Edhe pse blloku i tij triumfoi në zgjedhjet parlamentare tetorin e vitit të kaluar, ai vetë ka refuzuar të negocjojë me grupet Shiite për krijimin e qeverisë.
Pas përplasjeve në tubim, nuk vonoi që të shpërthenin luftimet nëpër rrugë, më të ashpra që Bagdadi ka parë prej vitesh.
Momente frike u shënuan edhe përpara kompleksit të ambasadës amerikane në Zonën e Gjelbër të kryeqytetit, e cila u godit nga të paktën 5 predha mortajash.
Në mesin e trazirave, Irani ka vendosur të mbyllë kufijtë me Irakun, ndërsa Kuvajti u kërkoi qytetarëve të tij të largohen menjëherë nga vendi.
Një zëdhënës i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres tha se ai ishte i alarmuar nga ngjarjet dhe bëri thirrje për “hapa të menjëhershëm për të ctensionuar situatën”.
Mustafa al-Kadimi, kryeministri i përkohshëm i Irakut dhe aleati i Sadr, ka shpallur gjendjen e shtetrrethimit mbarëkombëtar pasi trazira u shënuan edhe në qytete të tjera, ndërsa iu lut klerikut me shumë influencë të ndërhyrjë për të ndaluar dhunën.
Top Channel