Lufta godet ekonominë e Ukrainës, nuk ka më industri çeliku

20/09/2026 13:48

Sulmet ruse kanë goditur rëndë infrastrukturën dhe industrinë ukrainase, duke paralizuar edhe sektorin e çelikut, një nga industritë kryesore të vendit.

Sipas një raportimi të Financial Times, sulmet me raketa balistike kanë dëmtuar ose nxjerrë jashtë funksionit tre fabrikat kryesore të çelikut që kanë mbetur në Ukrainë, në zonat e Zaporizhzhias dhe Dnipropetrovskut. Nga sulmet raportohet se janë vrarë 17 punëtorë. “Që nga sot, Ukraina nuk ka më një industri çeliku”, citohet të ketë thënë Oleksandr Vodoviz, drejtues në kompaninë ukrainase të çelikut Metinvest, e cila zotëron dy prej fabrikave të goditura.

Lufta ka prekur rëndë edhe sektorë të tjerë të ekonomisë. Sipas të dhënave të cituara nga Financial Times, pothuajse gjysma e sipërfaqes së depove moderne në Ukrainë është shkatërruar, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e dëmeve është shkaktuar vetëm gjatë muajve të fundit.

Sulmet ruse ndaj infrastrukturës ekonomike dhe logjistike synojnë të dobësojnë kapacitetet e Ukrainës për të mbështetur ekonominë dhe përpjekjet e saj të luftës.

Për shkak të intensifikimit të sulmeve ajrore, Banka Qendrore e Ukrainës ka paralajmëruar se mund të ulë parashikimin për rritjen ekonomike këtë vit. Rritja e PBB-së mund të jetë vetëm 1.1–1.2%, nga objektivi i mëparshëm prej 1.8%.

Ndërkohë, Rusia ka intensifikuar sulmet me dronë dhe raketa, përfshirë sulme të përsëritura ndaj Kievit dhe objektivave ekonomike e logjistike në zona të ndryshme të Ukrainës.

Top Channel