Merkato pa pikë plani! Ajax refuzon 80 milionë €, United tenton yllin e PSV-së

19/08/2022 10:45

Ndërkohë që është arritur marrëveshja për blerjen e Casemiros nga Reali i Madridit për një operacion që prek shifrën e 70 milionë eurove në total, Manchester United nuk po ia del në lidhje me Antony.

Sulmuesi i djathtë i Ajaksit është një nga të preferuarit e trajnerit Ten Hag. “Djajtë e Kuq” kanë ofruar 80 milionë euro për kartonin e 22-vjeçarit brazilian sipas Sky Sports.

Kampionët e Holandës kanë refuzuar ofertën e “Djajve të Kuq”. Drejtuesit e Ajaksit nuk kanë ndërmend të shesin lojtarin e kombëtares braziliane (9 ndeshje dhe 2 gola me pesë herë kampionët e botës).

Merkato e United vijon të jetë e fokusuar në Eredivisie. Tani po synohet Cody Gakpo, i cili ka dalë nga akademia e PSV-së. 23-vjeçari luan si sulmues i majtë dhe këtë sezon e ka nisur në mënyrë fantastike.

Tre gola deri tani ka shënuar lojtari holandez, autor i shtatë ndeshjeve dhe dy golave me kombëtaren tulipane. Nga një sulmues i djathtë në një të majtë, kjo tregon se drejtuesit e United nuk kanë një plan të qartë sa i përket merkatos.

Gjithsesi, trajneri Ten Hag ka nevojë për përforcime pas nisjes katastrofike të sezonit të ri në Premier League dhe ish-trajneri i Ajaksit shpreson të ketë Gakpo sa më shpejt nën urdhrat e tij.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA